Larg fushës së blertë prej dëmtimit në kavilje që prillin e kaluar, Frenkie de Jong më në fund sheh dritë në fund të tunelit. Mesfushori i Barcelonës, i cili preferoi terapinë konservative ndaj operacionit të rekomanduar nga drejtuesit, pati ndjesi të mira gjatë seancave të fundit stërvitore individuale dhe kthimi i tij në dispozicion të stafit teknik tani duket i pashmangshëm.
Holandezi ka përfunduar dje një pjesë të seancës stërvitore me grupin. De Jong tani shpreson të kryejë një seancë të plotë stërvitore me shokët e skuadrës në ditët në vijim. Dhe sipas shtypit katalanas, nëse gjithçka shkon mirë, Barça e pret të kthehet në fushë javën e ardhshme.
Duke pasur parasysh mungesat në mesfushë (Gavi, Olmo, Fermin Lopez, Bernal), trajneri Hansi Flick mezi pret që të mund të përqafojë sërish holandezin, një lojtar sigurisht që i përshtatet futbollit të tij.