Tirana ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 miqësoren e zhvilluar në Ohër përballë Strugës, skuadërs kampione të Maqedonisë së Veriut. Një miqësore, e fundit për të dyja skuadrat në këtë fazë përgatitore, që prodhoi një futboll me nivel.
Kampionët e Maqedonisë së Veriut, që drejtohen nga Shpëtim Duro u shfaqën më kërkues, por ata që shënuan të parët ishin bardheblutë, të cilët në minutën e 37-të arritën të gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Hilës. Një avantazh që nuk ka zgjatur shumë, pasi dy minuta më vonë ishte Benjamin Shabani që vendosi barazpeshën, 1-1, që është dhe rezultati i pjesës së parë.
Edhe pjesa e dytë kishte të njëjtin ritëm, me skuadrën e Tiranës që arriti të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 69-të me Latifin pas një kundërsulmi, 2-1, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide. Kjo ishte miqësorja e fundit për të dyja skuadrat në kuadër të përgatitjeve për sfidat europiane. Tirana do të përballet me Dinamo Batumi në Ligën e Konferencës, ndërsa Struga do të përballet me Zalgiris në Ligën e Kampioneve.