RTSH Sport Live

Liga “Gjergj Kastrioti”, ja finalistët

  • 27/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Liga “Gjergj Kastrioti”, ja finalistët
Skënderaj – Skënderbeu për femra dhe Erzeni – Partizani për meshkuj në lojë për trofe

Skënderbeu në volejboll për femra do të mbrojë trofeun e Ligës “Gjergj Kastrioti”, teksa në finale, të mërkurën në mbrëmje, do të përballet me Skënderajn në ora 20:15. Për korçaret kualifikimi në raundin gjysmëfinal me Partizanin, që është luajtur të shtunën në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, ka qenë thjeshtë një formalitet. Një fitore 3-0 ndërsa Skënderbeu fitoi setin e parë 25-21 e më pas dy radhazi 25-19. Për trajnerin Orlando Koja, Skënderbeu jo vetëm që ka treguar rritje në lojë, por është një skuadër, e cila është ndërtuar për titull kampion.

"Ndeshja ishte e fortë. Kundërshtari, ashtu sikurse kemi thënë dhe herë të tjera, është i fortë dhe i denjë për t'u përballur me ne. Ndeshjet me këtë skuadër do të jenë gjithmonë beteja dhe këtë herë këtë betejë e fituam ne. Besoj se patëm dhe përmirësime të rëndësishme në lojën tonë. Kështu që jemi shumë të kënaqur", shpjegon Orlando Koja.

Kualifikimi për në finalen e Ligës “Gjergj Kastrioti” edhe për kapitenen e Skënderbeut, Paola Gjata, është treguesi i ndërtimi të një skuadre, e cila kërkon të gjitha trofetë e këtij sezoni.

"Fitorja me Partizanin ka një vlerë të madhe për ne. Tregon që grupi është konsoliduar dhe po japim të gjitha më të mirën tonë", ka treguar kapitenia Gjata.  

Ndërkohë përveç Skënderbeu – Skënderaj më 1 mars për femra, për meshkuj, po të mërkurën, do të përballen në Ligën “Gjergj Kastrioti”, Erzeni – Partizani.