RTSH Sport Live

Liga Unike në RTSH, Trepça mposht Kamzën

  • 27/03/2024
  • |
  • Basketboll
Liga Unike në RTSH, Trepça mposht Kamzën
Takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Veprimtaria e përbashkët e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, ka mbyllur sezonin e saj të rregullt tek femrat, duke iua lënë vendin tashmë 4-shen finale, që do të mbahet në Prishtinë.  Ndryshe nga turneu i femrave, ai i meshkujve po zhvillohet në trajtën e një "8-she finale". Dhe veprimtaria mbarëkombëtare e koshit për meshkuj, që po zhvillon fazën finale në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës, po vjen për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.

Takimi i parë që u luajt ishte ai midis Trepçës dhe Kamza Basketit, që u fitua nga skuadra mitrovicase me shifrat 90-46. Kjo ndeshje ka patur rivalitet vetëm në minutat e para, sepse më pas është shndërruar në “një rrugë me një kalim” nga skuadra e Trepçës, që e fiton 10-minutëshin e parë me 12 pikë epërsi, 25-13. Skuadra mitrovicase do të vazhdojë të mbizotërojë edhe në 10-minutëshin e dytë, duke e fituar atë edhe më thellë, me 13 pikë epërsi, 22-9 dhe duke bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me epërsinë e thellë 47-22.

E njëjta tablo është edhe pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, teksa Trepça e ka fituar bindshëm 10-minutëshin e 3-të, 23-9, duke kryesuar kështu pas një gjysmë ore lojë me 39 pikë epërsi, 70-31. Që nga ky çast ndeshja nuk ka më histori, pasi skuadra nga Kosova e fiton edhe 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, 20-15 dhe gjithë ndeshjen 90-46, duke siguruar kështu vendin në gjysmëfinale të Ligës Unike në basketboll për meshkuj.