Pas 7 topave të prekur në ndeshjen e kampionatit kundër Crystal Palace, vjen pankina për 90 minuta në ndeshjen e Champions League kundër Lille, e vlefshme për 1/8-at e kompeticionit më të rëndësishëm europian. Përtej deklaratave të Tomas Tuchel, i cili jep siguri për të ardhmen, krijohet ndjesia se në këtë skuadër, nuk ka shumë hapësira për Romelu Lukakun. Zëvendësuesi natyral i tij, gjermani Kai Havertz është një pikë e palëvizshme tashmë, elementi që i jep oksigjen skuadrës së Tuchel dhe këtë e tregoi edhe në sfidën e parë kundër Lille ku drejtoi sulmin e bluve të Londrës.
Në këtë mënyrë, brenda pak muajve, nga një pikë e palëvizshme e formacionit të Antonio Conte e Interi, BigRom është bërë një nga problemet më të mëdha të Chelsea. 115 milionë euro të shpenzuara në mënyrën më të keqe të mundshme për një lojtar që ka nisur të ambjentohet me pankinën. Në fushë vlejnë idetë dhe jo paratë dhe sulmuesi belg është shembulli më i mirë për këtë. Ndoshta viti i parë mund të jetë edhe i fundit për 29-vjeçarin që në fund të sezonit mund të mendojë seriozisht largimin.
Tifozët jo rastësisht i kujtojnë paraqitjet e Armando Brojës madje, shqiptarit të huazuar te Southampton që Chelsea nuk i ka kushtuar asnjë qindarkë por po zhvillon një sezon të çmendur. Roman Abramovich nuk ka lejuar asnjëherë pasagjerë në radhët e Chelsea dhe kjo telenovelë duket se po shkon drejt fundit. Nëse në ndeshjet e radhës kundër Burnley, Newcastle, Norwich, Brentford e Southampton belgu nuk jep shenja jete, atëherë fundi do të jetë shumë pranë.