RTSH Sport Live

Lukas Turkulov, i pari në Vlorë

  • 24/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Lukas Turkulov, i pari në Vlorë
Stedman dhe Greqia kryesojnë Turin e 80-të të Shqipërisë në çiklizëm

Elbasan – Vlorë e gjatë 142 kilometra ishte etapa e tretë e Turit të 80-të të Shqipërisë në Çiklizëm. Një etapë, që ka patur të ndërthurur ngjitjet kodrinore me ato fushore pas së cilës kanë përfituar çiklistët sprintierë. Dhe për rrjedhojë i pari e ka prerë finishin në Vlorë, çiklisti i Serbisë, Luka Turkulov me kohën 3h06’42”. Pas tij me të njëjtin hap dhe në të njëjtën vijë finishi ishin Marko Stankoviç i Astra Rasing Tim dhe Nikiforos Arvanito i Greqisë. Skuadra më e mirë e etapës është cilësuar Serbia, ndërsa në renditjen e përgjithshme, kjo pas tre etapash, kryeson Maksimiljano Stedman i Velo Skills Interbajk RT Britani e Madhe, që ka dhe fanellën e verdhë, si dhe Greqia si ekip. Mbajtësi i fanellës jeshile është Nikiforos Arvanito, kurse mbreti i malit është Periklis Iljaz. I riu më i mirë i Turit të 80-të të Shqipërisë në çiklizëm, që është dhe mbajtësi i fanellës së bardhë, është amerikani Xhonah Killi. Menjëherë pas përfundimit të etapës së tretë për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar, Lukas Turkulov, do të shfaqej i kënaqur me këtë fitore.

 “Sigurisht që ishte fitore e vështirë. Por unë duhet të falënderoj skuadrën time për punën e mirë që bëri sepse më ka ndihmuar për disa kilometra derisa mbërrita në finish. E rëndësishme është që të marrim ato pikë, të cilat do të na kualifikojnë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Shpresoj që më tej të bëjmë mirë në këtë Tur të Shqipërisë së bashku me të gjithë çiklistët e kombëtares së Serbisë”, thotë Turkulov.

Etapa e katërt e Turit të Shqipërisë është Vlorë – Mbrostar – Përmet, ndërsa Rrethi i 80-të Çiklistik i Shqipërisë përfundon të premten në Fier.