RTSH Sport Live

Lushnja dhe Besa mbeten në Kategorinë e Parë

  • 16/05/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Lushnja dhe Besa mbeten në Kategorinë e Parë
Mundin përkatësisht 2-0 Ilirinë dhe 3-1 Af Luftëtarin për mbijetesën

Janë luajtur të enjten dy sfidat e “play-out”-it midis Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së dytë, për të vendosur se cilat do të jenë dy skuadrat që do të plotësojnë nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit sezonin e ardhshëm. Kështu, në duelin e zhvilluar në Stadiumin “Egnatia Arena” të Rrogozhinës, Lushnja ka mundur Ilirinë e Fushë-Krujës me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar në secilin skaj të kundërt të lojës.

Kështu, sfida pamje të së cilës na përcjell kjo kronikë, ka nisur mjaft mirë për skuadrën lushnjare, e cila ka gjetur golin e parë pas vetëm 4 minutash lojë, me anë të Kasmollarit.

Me epërsinë minimale të myzeqarëve do të mbyllet pjesa e parë në Rrogozhinë, ndërsa ajo e dyta do të jetë e luftuar, por në minutën e fundit të kohës së rregullt, Lushnja ka gjetur edhe golin e dytë, me anë të Dragojit.

Lushnja mund kështu Ilirinë e Fushë-Krujës me rezultatin 2-0 dhe siguron qëndrimin në Kategorinë e Parë, ashtu sikundër ka bërë edhe Besa e Kavajës, që ka mundur 3-1 AF Luftëtarin, në takimin tjetër, që luajtur në Stadiumin “Flamurtari” po të enjten pasdite.

Golat e Eminit në minutën e 7-të dhe Alfuseinit në të 32-ën e vunë Besën në kontroll të lojës,  dhe ndonëse Ziaji shkurton shifrat për gjirokastritët në minutën e 49-të, Spahiu vulosi në të 55-ën fitoren 3-1 të kavajasve.