Kampionati Botëror i këtij sezoni të Formulës 1 ul këtë fundjavë siparin e tij me garën e fundit, atë të Çmimit të Madh të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila ka zhvilluar të shtunën në mesditë provat zyrtare. Dhe do të jetë një rreshtim interesant ai i garës së të dielës, pasi 3 skuadrat rivale do të formojnë 3 radhët e para. Kështu, janë dy makinat e “Red Bull”-it “kampione” të sapokurorëzuar të konstruktorëve, që do të vendosen në radhën e parë, me kampionin e dyfishtë të botës, Maks Verstapen, që do të niset nga vendi i parë dhe shokun e tij të skuadrës, Serxhio Perez nga vendi i dytë.
Në radhën e dytë do të vijnë dy makinat e “Ferrari”-t, me Sharl Lëklerkun dhe Karols Sainzin, që do të nisen përkatësisht nga vendi i 3-të dhe i 4-t, ndërsa në radhën e tretë do të rreshtohen dy makinat e “Mercedes”-it, me Ljuis Hemiltonin të 5-tin dhe të Xhorxh Rasëllin të 6-tin. Ndërkaq, 10-shen e të parëve e plotësuan Lando Norris me “MekLaren”, Esteban Okon me “Alpine”, Sebastian Fetel me “Aston Martin” dhe Daniel Riçiardo me “MekLaren”.
Maks Verstapen ishte dukshëm më i shpejti në këto prova zyrtare, duke e përshkuar xhiron me kohën 1 minutë, 23 sekonda e 824 të mijëtat, 228 të mijëtat më i shpejtë sesa Perez, ndërsa 268 të mijëtat më prapa ishte Lëklerku. Meksikani dhe piloti nga Montekarlo janë përfshirë në betejën për vendin e dytë dhe titullin simbolik të “nënkampionit” të botës, ashtu sikundër janë përfshirë në të njëjtën betejë edhe “Ferrari” dhe “Mercedes”-i.
Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 2, duke nisur nga ora 14:00.
NISJA TË DIELËN
Rreshti i parë
- Max Verstappen (Red Bull)
- Sergio Perez (Red Bull)
Rreshti i dytë
- Charles Leclerc (Ferrari)
- Carlos Sainz (Ferrari)
Rreshti i tretë
- Lewis Hamilton (Mercedes)
- George Russell (Mercedes)
Rreshti i katërt
- Lando Norris (McLaren)
- Esteban Ocon (Alpine)
Rreshti i pestë
- Sebastian Vettel (Aston Martin)
- Daniel Ricciardo (McLaren)
Rreshti i gjashtë
- Fernando Alonso (Alpine)
- Yuki Tsunoda (AlphaTauri)
Rreshti i shtatë
- Mick Schumacher (Haas)
- Lance Stroll (Aston Martin)
Rreshti i tetë
- Guanyu Zhou (Alfa Romeo)
- Kevin Magnussen (Haas)
Rreshti i nëntë
- Pierre Gasly (AlphaTauri)
- Valtteri Bottas (Alfa Romeo)
Rreshti i dhjetë
- Alexander Albon (Williams)
- Nicholas Latifi (Williams)