RTSH Sport Live

Mundja e vajzave... për Turqinë

  • 12/03/2025
  • |
  • Sporte të tjera
Mundja e vajzave... për Turqinë
Si individë dallohen sportistet ruse nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes

Turqia konfirmohet si forca kryesore e mundjes për femra në Kampionatin Europian të moshës deri në 23 vjeç, që është duke u zhvilluar në Tiranë. Me tre medaljet e arta të ditës së parë, por dhe të tjera, më së shumti të bronzta, Turqia ishte në vendin e parë si ekip duke lënë nga pas Ukrainën e Poloninë. Si individ u dalluan përsëri mundësit e Federatës Botërore të Mundjes, të cilat shkuan në numrin katër të medaljeve të arta.

Kështu fillimisht ishte e artë Martinava në peshën deri në 57 kilogram, që në finale mundi 8-2 ukrainasen Filipovish. Pastaj e arta e dytë ishte në peshën deri në 65 kilogram, ndërsa Tsiarenia mundi me tuç hungarezen Elekesh. Dhe e fundit Bratçikova, e cila në peshën deri në 72 kilogram, mundi 4-3 polaken Tkashuk.

Ndërkohë Azerbajxhani mbërriti në dy medalje të arta, atje ku pas Hurbanovës e tillë ishte dhe Mamadova, që në peshën deri në 53 kilogram mundi Karpushkinën 3-0. Dhe një medalje e artë dhe për Ukrainën, kur Bondar, kjo në peshën deri në 62 kilogram mundi Tandelovën 6-4.

E enjtja dhe e premtja do të jetë për mundjen greko-romake, që do të bëjë dhe uljen e siparit të Kampionatit Europian të moshës deri në 23 vjeç në mundje.