Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet për dy sfidat e javës së fundit të shtatorit, ndaj Izraelit dhe Islandës, por trajneri Edoardo Reja po djersin për njërin nga titullarët e tij të sulmit. Myrto Uzuni, i cili erdhi pas një dëmtimi të pësuar me skuadrën e tij, Granadën, në kampionatin spanjoll, ka pushuar në ditët e para, pas sugjerimit të stafit mjekësor, ndërsa tanimë ka nisur stërvitjen i veçuar, nën vëzhgimin e fizioterapistit të Kombëtares kuqezi.
Me pak fjalë, 27-vjeçari është në garë me kohën dhe burime pranë kampit kuqezi kanë bërë të ditur se është e sigurt që ai nuk do të jetë në 11-shen e parë të Shqipërisë për sfidën e 24 shtatorit në Izrael, por nuk përjashtohet që ai të aktivizohet në pjesën e dytë, në varësi të miratimit të stafit mjekësor dhe rrethanave që do të krijohen.
Për më tepër, edhe i riu Eljon Toçi, i cili ishte i grumbulluar shtesë nga Reja, duke parë mungesat e shumta, do të rikthehet për të qenë pjesë e Kombëtares së Nën-20-vjeçarëve të trajnerit Alban Bushi, që do të luajë më 23 dhe 25 shtator 2022 dy ndeshje miqësore, përkatësisht ndaj bashkëmoshatarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre të Kroacisë. Ndërkaq, burime në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë sqaruar për RTSH-në se do të ketë një shpërblim financiar më të madh se zakonisht për fitoren me Izraelin.
Duke të përforcuar rëndësinë që ka kjo ndeshje për kuqezinjtë, Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së ka vendosur, me një vendim qarkullues, një shpërblim prej rreth 300 mijë eurosh për fitoren e këtij takimi. Kjo nënkupton se çdo futbollist apo pjesë e stafit pritet të përfitojë mesatarisht 10,000-12 Euro shpërblim në rast fitoreje.
Kombëtarja kuqezi do të vijojë seancat stërvitore në Durrës deri të enjten në mbrëmje, për të udhëtuar të premten në mëngjes drejt Izraelit, atje ku pritet të mbërrijë rreth orës 13:00, me orën lokale, 12:00 me orën e Tiranës.
Pas mbërritjes në hotel dhe akomodimit, Kombëtarja kuqezi do të mbajë në orën 18:00, me orën lokale, 17:00, me orën e Tiranës, për të vijuar një gjysmë ore më vonë me stërvitjen në Stadiumin “Blumfilld” të tel Avivit, atje ku një ditë më pas në mbrëmje do të luhet edhe ndeshja.