Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2019, Diego Forlan trashëgoi nga babai i tij dhe kultivoi pasionin për tenisin dhe në moshën 45-vjeçare është gati të bëjë debutimin e tij si profesionist.
Ish-sulmuesi uruguaian, është ftuar nga organizatorët në turneun “Challenger” në Montevideo, i planifikuar nga data 11 deri më 17 nëntor, ku do të luajë dyshe në çift me argjentinasin Federico Coria, numri 101 në renditjen e ATP-së.
Verën e kaluar, ish-lojtari i Interit luajti dy turne në kategorinë mbi 45 vjeç nën kujdesin e ITF Men's Circuit. Forlan arriti në çerekfinalen e një MT1000 në Lima, Peru, dhe humbi në finalen e një MT400 në Paraguai. Ai aktualisht zë vendin e 108-të në renditjen botërore në kategorinë mbi 45 vjeç.