RTSH Sport Live

Partizani bind ndaj Dinamos

  • 20/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani bind ndaj Dinamos
Fiton 2-0 në shtëpi dhe konsolidon vendin e 3-të në renditje

Kategoria Superiore ka mbyllur të shtunën javën e saj të 32-të, me dy takimet e fundit, të luajtura në mbrëmje dhe, në përballjen më të spikatur, atë që u luajt në Stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet, Partizani ka pritur Dinamon. Ka qenë një sfidë ku të kuqtë e kanë nisur mirë pjesën e parë, duke patur 4 raste të volitshme, në të 8-ën, 11-ën, 16-ën dhe të 23-ën, dy herë me Kristian Mbanë, një herë me Tedi Carën dhe një herë me Bintsukanë, ndërsa vetëm në minutën e 25-të, të kaltërit do të shfaqen në portën e vendasve, por Denison godet pasaktësisht.

Sidoqoftë, trysnia e Partizanit jep fryte pas një gjysmë ore lojë, kur pas një harkimi nga majta e sulmit, Sembene godet me kokë, topi përplaset në shtyllë dhe kthehet te Bintsuka, që nuk fal duke përshëndetur rrjetën. Partizani vijon të mbizotërojë dhe portieri dinamovit, Sali, do t’i mohojë Rrapajt mundësinë e golit në të 37-ën, ndërsa 3 minuta më pas, kryesori Bajramaj sinjalizon fillimisht për një 11-metërsh për Partizanin, pas një ndërhyrjeje të gabuar në dëm të Taipit, por pas konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), vendimi anulohet, pasi ndërhyrja e Behiratçes konsiderohet e rregullt.

Dinamo reagon dhe, pasi portieri Qirko i mohon Lorenco Vilës golin në minutën e 43-të, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Zabërgja do të fitojë zgjuarsisht një 11-metërsh. Por goditja e Denisonit do të devijohet jashtë kuadratit nga Qirko, që i çon të kuqtë në epërsi minimale në pushimin e ndeshjes. Pjesa e dytë nis me Dinamon që do të mbetet me 10 lojtarë, pasi Gudjabi merr kartonin e dytë të verdhë dhe do të dalë nga loja me karton të kuq në minutën e 47-të.

Partizani do të vijojë të administrojë epërsinë dhe, pasi e ka vënë në provë portierin e Dinamos, Sali, në minutën e 68-të, i sapofuturi në fushë, Albers Keko, do të vijojë ta mposhtë atë dy minuta më pas, duke gjetur golin e dytë të të kuqve.

20 minutat e mbetura të kohës së rregullt do të shohin Partizanin të administrojë epërsinë përballë Dinamos gjithnjë e më të pafuqishme për të reaguar, teksa të kuqtë mund të kishin gjetur edhe golin e 3-të, me Skukën, Kekon apo Carën. Sidoqoftë, mbyllet me fitoren 2-0 të Partizanit kjo sfidë ndaj Dinamos, me të kuqtë që konsolidohen në vendin e 3-të, me 51 pikë.