RTSH Sport Live

Partizani, kampion për herë të 16-të

  • 04/05/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Partizani, kampion për herë të 16-të
Të kuqtë mundin Tiranën në finale me rezultatin e përgjithshëm 3-2

Partizani është kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj për sezonin 2023-2024, kjo për herë të gjashtëmbëdhjetë, ndërsa rikthehet tek ky trofe pas tre sezonesh. Me rezultatin e përgjithshëm 3-2, Partizani ka mundur në finale Tiranën duke shkurorëzuar skuadrën e Arben Sakos, që ishte kampione në fuqi.

Në finalen e fundit të kuqtë e Ylli Tomorrit kanë fituar 3-1. 25-16 seti i parë për Partizanin. 25-20 i dytë për të kuqtë. Kundërpërgjigjet Tirana në të tretin 15-25. Por më pas nuk ka histori.

Partizani fiton 25-21 dhe 3-1. Kupën kapitenit të Partizanit, Klodian Kasa, ia ka dorëzuar zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Dashamir Brari.

Me kupën e kampionit të meshkujve ulet dhe sipari i sezonit 2023-2024 për të rritur e të rritura nën siglën e Skënderbeut dhe të Partizanit.