Drejtori i Partizanit, Olsi Rama në të gjithë fushën: nga paraqitja e të kuqve në këtë sezon te kompleksi i ri, gjithçka në “Rubrika Sportive” në RTSH.
“Lajmi më i mirë, hapja e kompleksit të ri apo vendi i katërt në kampionat? Lajme të vonuara, sepse kompleksi duhet të ishte inaguruar me kohë dhe vendi i katërt nuk është ai që dëshironim, donim më shumë se kaq”.
“Dinamo? Më vjen keq, sepse me të vërtetë e mirëprita, sepse mendoja se do rikthente traditën e Dinamos. E kam ndjekur me dëshamirësi gjatë sezonit, po mendoj se nuk kanë arritur të rikthejnë as entuziazmin dhe as lojën. Jam i mendimit që janë në vendin që meritojnë. Duke parë ecurinë e Egnatias dhe Kastriotit, mendoj se Dinamo nuk mund të mbijetojë”.
“Situata e krijuar te Dinamo, lojtarët dhe stafi mbeten në këmbë pasi u ikën autobusi? Nuk besoj se në 2022 këto janë mënyra se si mund të reagohet. Gjëra të tilla tregojnë se nuk çalon vetëm në fushë, kjo nuk është aspak normale. Dinamo ka grumbulluar lojtarë, që kanë cilësi por kanë dhe një çmim. Por nuk mjaftojnë vetëm emrat”.
“Tirana? Fitoret bëjnë moral, e bëjnë më të lehtë stërvitjen, të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë. Tirana e ka shfrytëzuar shumë mirë këtë. Sigurisht që ka ndërtuar një ekip të ekuilibruar, jo spektakolar, por janë aty ku janë me meritë. Seferi mendoj se ka bërë një kampionat shumë të mirë, një kampionat sakrifice duke vrapuar në çdo cep të fushës. Edhe Xhixha kë bërë shumë mirë. Së bashku kuptohen shumë mirë. Edhe për të tjerët kam fjalë të mira për rendimentin. Entuziazmi ndihmon, fitoret ndihmojnë, secili më pas gjen vendin e vet”.
“Fitorja me Teutën? Jam gjithmonë kritiku i parë i skuadrës dhe nuk më pëlqeu fillimi i ndeshjes dhe mënyra se si u futëm në lojë. Përsëri e them se nuk jemi aty ku duhet. Me kalimin e minutave u futëm në lojë dhe arritëm te fitorja. Te goli që pësuam në ndeshje gabuam të gjithë. Kemi pësuar gola nga situate pa pretendime, me gabime në vendosje. Bitri dhe Belica janë lojtarë të fortë me kokë dhe nuk duhet të pësojmë gola të tillë”.
“Kallaku? Së pari dua ta uroj sepse është bërë baba. Është një lojtar shumë kërkues, punon shumë, asnjëherë nuk është i kënaqur me veten e tij”.
“Mala? Është në huazim, do të rikthehet në Turqi, do të diskutojmë përsëri për rinovimin e huazimit. Marku dhe Kallaku gjithashtu janë në huazim nga Lokomotiva e Zagrebit, do të tentojmë ti mbajmë. Marku është me të vërtetë një lojtar që na ka ndihmuar shumë, mendojmë dhe shpresojmë që ti mbajmë”.
“Të rinjtë? Partizani nuk është zgjedhja e parë e lojtarëve të rinj në Tiranë, për shkak të infrastrukturës. Tani që kemi shtëpinë tonë mendoj se gjërat do ndryshojnë. Për momentin në kompleks ekipi i parë, U21 dhe U19. Mendoj se të gjithë duhet tu jepet mundësia për të luajtur, ata që vijnë nga shtresat e varfëra ndoshta kanë më shumë uri për të luajtur”.
“Kompleksi? Kemi nisur stërvitjet, kemi bërë një kërkesë për licensim për ndeshjet e U19 dhe U21, shpresojmë që të jemi gati në sezonin e ardhshëm. Fusha e stadiumit është sintetike, nuk ka qënë në plan kështu, ishtë menduar me barë. Është një investim, një sakrificë shumë e madhe. Do të jetë një ambjent shumë funksional”.
“Ndeshja me Vllazninë? Është e vërtetë që nuk na ka ecur, edhe kur kemi luajtur mirë nuk kemi marrë rezultat. Vllaznia nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë. Ka lojtarë me cilësi, por të lejon të luash futboll”.
“I lumtur që nuk morëm Shkurtajn? Jo unë jam i lumtur që morëm Skukën. Nuk ka patur një garë me Kukësin për Shkurtajn, ka patur një interesim. Pa hedhur poshtë vlerat e Shkurtaj, që ia dime tashmë, unë kisha objeksionet e mia, në Kinë kishte luajtur 10 ndeshje dhe shënuar 2 gola. E dimë se sa i vështirë është ambjentimi, duke pasur mendjen në një realitet tjetër, gjithmonë me mundësinë të kthehet në Kinë për arsye të proceduarave burokratike. Ka qenë një sondazh por jo një interesim konkret, pasi të ishte i tillë besoj do ta kishim ekzekutuar që në atë kohë”.