RTSH Sport Live

Partizani thyen “tersin” korçar

  • 04/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani thyen “tersin” korçar
Të kuqtë zyrtarizojnë vendin në Final 4 falë golit të Mensah

Vendos goli i një ish-i si Mensah dhe Partizani më në fund merr fitoren e parë sezonale përballë Skënderbeut. Për Orges Shehin realizohet skenari më i bukur në javën e 34 të Superiores, duke qenë se u zyrtarizua vendi në Final Four dhe u hap krejtësisht edhe lufta për vendin e parë me Egnatian tani vetëm 3 pikë larg.

Pas dy humbjesh e një barazimi, të besuarit e Shehit morën suksesin e parë ndaj korçarëve, të rrëzuar në fund në Arenën e Demave. Partizani provoi që në fillim me Kekon, Rrapajn e Bintsouka në 15 minutat e para, por pa mundur të dërgojnë topin në rrjetën e Alias.

Skënderbeu priste momentin dhe frikësoi të kuqtë dy herë në 60 sekonda me Rashicën e Rabiun, që në minutën e 24 kishte mundësinë më të mirë të pjesës së parë për të shënuar. Partizani u kthye nën kontroll, duke e kuptuar rëndësinë e situatës dhe Rrapaj në të 37’ shkoi pranë golit të avantazhit, përpara se Mba të shpenzonte rastin ideal për kryeqytetasit i vetëm përballë Alias.

Edhe në pjesën e dytë presioni i vendasve e vuri në vështirësi Skënderbeun. Madje ndeshja mund të ishte zgjidhur edhe më shpejt, sepse në të 57’ Skuka mposhti Alian, por duke përfituar nga pozicioni jashtë loje, që anuloi gjithcka.

Vonesa e golit rriti tensionin dhe në këto kushte Partizanin e shpëtoi Qirko, që ndali inkursionin e Rashicës në minutën e 69’, duke mbajtur në lojë të tijtë, që shfrytëzuan mundësinë 6 minuta nga fundi, kur një aksion brilant nga e majta i dha mundësinë zëvendësuesit Mensah të ndëshkonte ish-skuadrën e tij me golin e fitores.

57 pikë për Partizanin në fitoren e tretë radhazi, pas dy sukseseve në derbi, e tani, dy ndeshje nga fundi, në lojë nuk është më vetëm vendi i dytë por edhe ai prestigjoz i të parit në sezonin e rregullt.