RTSH Sport Live

Presidenti i UEFA-s, Ceferin: 2024-a, një vit me suksese të jashtëzakonshme të arritura nga FSHF

  • 27/01/2025
  • |
  • Futboll Vendi
Presidenti i UEFA-s, Ceferin: 2024-a, një vit me suksese të jashtëzakonshme të arritura nga FSHF
“Rruga që ju pret është me plot mundësi, por ju duhet të besoni dhe të qëndroni të fortë në vizionin tuaj për të rritur talentet e reja”

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka dërguar një video-mesazh urimi për Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2024”, që po mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në këtë ngjarje prestigjioze, Ceferin përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi sukseset e arritura nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë vitit 2024.

Ai e cilësoi vitin 2024 si një periudhë të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar dhe vlerësoi dy ngjarjet madhore që do të organizohen nga FSHF në vitin 2025; UEFA Euro U-17 “Shqipëri 2025” dhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Më poshtë mesazhi i plotë i Presidentit të UEFA-s, Ceferin:

“I dashur kryeministër Rama, i dashur President Duka, të nderuar miq, kolegë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të dashur miq!

Sot jemi mbledhur për të festuar arritjet e jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit në 2024. Një vit që padyshim na ka treguar se si forca e vendosmërisë, puna në grup dhe këmbëngulja mund të çojnë në sukses të jashtëzakonshëm.

Nga performancat elektrizuese të ekipeve tuaja Kombëtare, te zhvillimi i vazhdueshëm i futbollit të bazës, viti që lamë pas ishte frymëzues për të gjithë kombin, duke sjellë momente gëzimi dhe krenarie për miliona shqiptarë anembanë botës.

Qershia mbi tortë e fushatës ishte pjesëmarrja në UEFA EURO 2024, ku Shqipëria qëndroi fort në “grupin e vdekjes” kundër fituesve të ardhshëm, Spanjës, Italisë dhe Kroacisë.

Çdo ndeshje ndihej si një finale dhe dashuria nga tribunat e stadiumeve tregoi sa shumë i kanë vlerësuar tifozët përpjekjet e lojtarëve tuaj.

Ky sukses nuk erdhi aksidentalisht, por reflektoi përkushtimin dhe dedikimin e madh prapa skenave dhe për këtë ne i shprehim mirënjohjen dhe admirimin më të thellë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Presidentit të saj, Armand Duka.

I dashur Armand, nëse kam mësuar diçka nga miqësia jonë, jam i bindur se fokusi yt është tashmë në atë që vjen më pas. Në 2025 ne vijmë me ambicie të mëdha dhe optimizëm, duke përfshirë dy ngjarje kryesore, me kampionatin UEFA Euro U-17 në maj dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në shtator në Shqipëri.

Jam besimplotë që do t’i realizoni këto në mënyrë perfekte, duke treguar aftësi të shkëlqyera organizative dhe mikpritjen shqiptare të njohur botërisht.

Rruga që ju pret është me plot mundësi, por ju duhet të besoni dhe të qëndroni të fortë në vizionin tuaj për të rritur talentet e reja, për të forcuar klubet tuaja dhe për të ngritur futbollin shqiptar në lartësi akoma më të mëdha në skenën globale.

Të jini të sigurt, do të keni gjithmonë një partner të besueshëm si UEFA.

Le të synojmë më lart, të punojmë më fort e të ëndërrojmë më shumë për të ardhmen e futbollit në Shqipëri dhe Evropë.

Ju uroj një tjetër vit plot sukses, rritje dhe futboll të shkëlqyer”.