Sportistët elitarë dhe më të suksesshëm të Shqipërisë u pritën dhe u nderuan me medalje nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në një ceremoni të zhvilluar në ambjentet e ekzekutivit, numri 1 i qeverisë, pasi i dekoroi njerëzit që kanë ngritur flamurin shqiptar në botë, vendosi theksin edhe tek mbështetja financiare dhe vëmendja e shtuar e qeverisë ndaj tyre, duke marrë si shembull rastin e kampiones së Europës, Luiza Gega.
“Është nder dhe kënaqësi që sot, në vazhdën e një traditë që ka nisur dhe gurin e themelit të së cilës e ka vendosur kampionia jonë me e jashtëzakonshme Luiza, të nderojmë me një ceremoni familjare këtu disa kampionë të tjerë. Për ne këtu nuk është një çështje garash, një çështje fitoresh, nuk është thjesht një çështje medaljesh. Këto janë shumë të rëndësishme padiskutim në aspektin sportive, por është një çështje shembujsh për tu ndjekur. Ne kemi në aspektin e vlerësimeve për sportistët që marin tituj një politik financiare që praktikisht i fut sportistët tanë elitarë në nivelin e parë europian përsa i përket mbështetjes financiare. Duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë duke shtuar edhe një mbështetje për periudhat stërvitore speciale”, tha Rama.
Briken Calja, Erkand Qerimaj, Zelimkhan Abakarov, Lara Colturi, Eklent Kaçi, Alban Beqiri dhe Genta Beqja ishin sportistët e pranishëm në këtë ceremoni. Ata e kanë përfaqësuar vendin në disiplinat e peshëngritjse, skive, mundjes, boksit, bilardos e bodybuilding ndërsa u nderuan me medaljen e Yllit të Madh të mirënjohjes Publike si shprehje e respektit dhe mirënjohjes ndaj punës së palodhur dhe përkushtimit të tyre në sport.
Të pranishëm në këtë event ishin edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Fidel Ylli: “Për herë të parë Shqipëria në një vit e gjysmë ka kampionë të nivelit botërorë”.
Evis Kushi: “E meritojnë plotësisht mirënjohjen tonë, sepse falë tyre kjo Shqipëria jonë e vogël arrin të triumfojë në sytë e miliona njerëzve në mbarë globin”.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama ka thënë se për bastet online do ketë edhe një bord mbikëqyrës nga secila federatë sportive.
“Do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij aktiviteti bastesh që siç na ka treguar eksperienca, jo vetëm ne nuk kemi mundur ta ndalim, por asnjë vend përfshirë dhe vendet me kontroll të madh autoritarist”, deklaroi Rama.