RTSH Sport Live

Real Madrid, Tchouameni humb finalen e Champions League

  • 20/05/2024
  • |
  • Futboll Bota
Real Madrid, Tchouameni humb finalen e Champions League

Nuk do të ketë finale të Champions League për Aurelien Tchouameni. Mesfushori i Realit të Madridit u dëmtua në gjysmëfinalen kundër Bayernit të Mynihut, duke pësuar një frakturë në këmbën e majtë. Që nga ai moment ai ka pasur në shënjestër ndeshjen kundër Borussia Dortmundit, që do të luhet më 1 qershor, por sot Marca shkruan se mesfushori nuk do të mund të rikuperojë në kohë për finalen e madhe të Ligës së Kampioneve.

Ish-lojtari i Monakos shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t'u kuruar nga një specialist, por gazeta shkruan se nuk ka pasur asnjë dobi. Tashmë Tchouameni është tërësisht i fokusuar te rikuperimi në kuadër të Euro 2024, ku synon të jetë protagonist me Francën e tij. “Blutë” shpresojnë që 24-vjeçari i Real Madridit t'ia dalë dhe nga ky këndvështrim ndjesitë janë pozitive.

Të enjten, gjatë të shpalljes së grupit të Francës prej 25 lojtarësh, Deschamps ishte optimist për praninë e Tchouaméni. Trajneri do të ketë kohë deri më 7 qershor për të modifikuar listën e tij dhe për ta dërguar listën përfundimtare në UEFA. Franca do të luajë ndeshjen e parë kundër Austrisë më 17 qershor.