Aventura e Daniele De Rossit në pankinën e Romës nis në mënyrën më të mirë të mundshme. Në ndeshjen e javës së 21-të të Serisë A, verdhekuqtë mundën 2-1 Veronën dhe rikthehen në zonën e Champions League. Romanët përfunduan detyrën përballë Veronës në 6 minuta, nga 19' deri në 25'. Fillimisht Lukaku iu rikthye golit me një gjuajtje të saktë me të majtën, i asistuar nga El Shaaeaëy.
Më pas Faraoni shërbeu për Pellegrinin, i cili realizoi një gjuajtje të shkëlqyer nën traversë. Në pjesën e dytë Djuric merr një penallti (faull me dorë nga Llorente), por e humbet duke goditur lart (65'). Në minutën e 76-të Folorunsho befasoi Rui Patricion nga distanca, por që nuk mjaftoi për Veronën.
Roma gjeti fitoren e parë në Serie A në vitin 2024, një sukses që i kishte munguar që nga 2-0 kundër Napolit më 23 dhjetor të kaluar.
Roma ka shënuar të paktën një gol në 29 nga 30 ndeshjet e fundit të Serisë A kundër Veronës, përjashtimi i vetëm është më 19 shtator 2020 me Paulo Fonseca në stol: 0-0 në 90 minuta më pas u shndërrua në humbje 0-3 në tavolinë.
Verona ka humbur tetë nga 10 ndeshjet e fundit jashtë fushe në Serinë A. Që nga fillimi i vitit 2023 asnjë ekip nuk ka grumbulluar më pak pikë jashtë shtëpisë se Verona në divizionin e lartë, duke marrë parasysh skuadrat gjithmonë të pranishme në garë.
Asnjë ekip nuk ka humbur më shumë penallti këtë sezon në pesë ligat kryesore evropiane sesa Verona (tre, si Mainz dhe Stuttgart).