RTSH Sport Live

Shqipëri-Çeki LIVE

  • 12/10/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëri-Çeki LIVE
Nis sfida në “Air Albania”, e vlefshme për kualifikueset e “Gjermani 2024”

Është mbyllur sfida në “Air Albania” me fitoren 3-0 të kuqezinjve që kanë hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt “Gjermani 2024”. Goli i Asanit në minutën e 9-të dhe dopieta e Seferit(51’ dhe 73’) vulosën gjithçka në sfidën përballë çekëve. Shqipëria ngjitet në kuotën e 13 pikëve, ndjekur nga Polonia me 9 pikë, Çekia 8, Moldavia 8 dhe Ishujt Faroe 1.

90’+2 – Daku shfaqet rrezikshëm me një goditje nga distanca, por pa arritur të gjejë kuadratin e portës.

7 minuta shtesë në një sfidë plotë emocione

86’ – Është larguar nga fusha e lojës Seferi, autori i dy golave, në vendin e tij është Klaus Gjasula.

82’ – VAR prish festën e Arbnor Mujës. Pas një kundërsulmi vrastar, me Hysajn që ndërton nga prapavija, sulmuesi kuqezi ka arritur të shënojë. Por festa është ndalur në mes, pasi VAR ka evidentuar një pozicion jashtë loje.

77’ – Çekët shfaqen rrezikshëm në zonën kuqezi, me Čvančara që godet me kokë, por Berisha është i pakalueshëm.

73’ – Gooooooo, e pabesueshme. Një tjetër kundërsulm, një tjetër gol: Daku ka bërë gjithçka në mënyrë perfekte në krahun e djathtë të sulmit, për të shërbyer më pas për Seferin, i cili me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, 3-0.

67’ – Trajneri Silvinjo rifreskon formacionin kuqezi: largohen nga fusha e lojës Cikalleshi e Bajrami, në vendin e tyre respektivisht Daku e Muçi.

62’ – Një tjetër karton i verdhë për skuadrën çeke, që tashmë ka humbur qetësinë, ndëshkohet Provod(i aktivizuar në vend të Holes në fillim të pjesës së dytë) për një ndërhyrje të parregullt në dëm të Cikalleshit.

51- Goooool 2-0. Kundërsulm vrasës nga ana e kuqezinjve. Bajrami-Hysaj-Cikalleshi dhe në fund është Taulant Seferi që i jep goditjen vdekjeprurëse duke shënuar golin e dytë. Pavarësisht se në lojë u fut edhe VAR, goli është i rregullt, 2-0.

46’ – Pas shkelmimit të topin në mesin e fushës, kuqezinjtë janë hedhur menjëherë në sulm, me Seferin që ka goditur me të djathtën në afërsi të zonës, por pa arritur të gjejë kuadratin.

Ka nisur pjesa e dytë në “Air Albania”...

Një pjesë e parë plot emocione në “Air Albania”, në të cilën Asani dhuroi një goditje të mrekullueshme me të majtën nga distanca për t'i dhënë formacionit kuqezi epërsinë në minutën e nëntë. Pak para pushimit, sulmuesi i Çekisë, Chytil u përjashtua për një gabim të dytë me ndëshkim, teksa preku me dorë topin që shkoi në rrjetë. Çekët reaguan mirë në minutat e fundit, pavarësisht se ishin me një lojtar më pak, duke bërë disa sulme para pushimit.

Është mbyllur pjesa e parë me rezultatin 1-0 në favor të kuqezinjve, me golin e Asanit të shënuar në minutën e 9-të të takimit.

45’+2 – Kundërsulm i rrezikshëm i formacionit kuqezi,  por në momentin e fundit Ramadani nuk ka arritur të shërbejë si duhet për Bajramin, një top i paarritshëm.

Janë dhënë 4 minuta shtesë deri në përfundimin e pjesës së parë

43’ – Holes shfaqet papritur në krahun e majtë të sulmit për çekët, nga mbrojtja në sulm, por që është neutralizuar nga portieri Berisha.

38’ – Aksioni në vazhdim i çekëve, të cilët kanë arritur të shënojnë në portën kuqezi, por Chytil e ka prekur topin me dorë dhe gjithçka është anulluar, sulmuesi çek është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë. Ndërkohë, me karton të verdhë është ndëshkuar Coufal, për protesta.

37’ – Një goditje dënimi për çekët, shkaktuar nga Cikalleshi ndaj Souček, pozicion i favorshëm, por topi është ndalur në murin kuqezi.    

33’ – Përpjekje me forca të shumta të përfaqësueses çeke për të goditur portën e mbrojtur nga Berisha, por mbrojtja kuqezi tregohet e pakalueshme.  

18’ – Nga njëra portë në tjetrën. Pas një aksioni të çekëve, kuqezinjtë kanë rikuperuar topin dhe janë nisur me Cikalleshin, i cili është shfaqur përballë portierit të çekëve, Pavlenka, por nuk ka mundur ta mposhtë atë.

12’ - Černý mer përsipër reagimin e çekëve, por edhe njëherë Berisha tregohet i vëmendshëm duke evituar një tjetër rrezik në zonën kuqezi.

9’ – GOOOOOOOOL. Minuta e 9-të për numrin 9-të. Edhe njëherë Jasir Asani që bën të njëjtën lëvizje, ashtu si me Poloninë duke lëshuar të majtën vrastare. 1-0 për Shqipërinë, me gjuajtjen e parë në portë.

7’ -  Ndalet për një moment sfida, gjyqtari Danny Makkelie ka kërkuar që tifozët të mos përdorin lazer.

2’ – Asllani ka pësuar një goditje nga numri 18 i çekëve, Chytil, por që nuk ka patur ndonjë problem për vazhdimësinë, gjithçka i ëhstë rikthyer normalitetit.

1’ – Menjëherë të rrezikshëm çekët në portën kuqezi. Topi shkon për Kuchta, i cili godet. Berisha reagon mjaft mirë, por mund të ishte gati një fillim mahnitës për Çekinë.

Ka nisur sfida në “Air Albania” mes Shqipërisë dhe Çekisë e vlefshme për kualifikueset e “Gjermani 2024”, çekët shkelmojnë të parët topin në mesin e fushës.

Një ndeshje mjaft e rëndësishme në rrugëtimin për në Europian. Kuqezinjtë ndodhen në vendin e parë në Grupin E me 10 pikë, ndërsa çekët(kanë një ndeshje më pak) në vend të dytë me 8 pikë, aq sa Moldavia e vendit të tretë. Polonia në vend të katërt me 6 pikë, ndërsa në vendin e fundit, Ishujt Faroe me 1 pikë.  

Shqipëri-Çeki 

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Asani, Seferi, Cikalleshi.
Trajner: Silvinjo

Çeki: Pavlenka, Holesh, Brabek, Krejçi, Kufal, Suçek, M. Sadilek, Jurashek, Çernji, Çutil, Kuchta.
Trajner: Jaroslav Shilhavi