Përfaqësues të Televizionit Publik shqiptar dhe përfaqësues të Televizionit Publik të Malit të Zi, përjetuan emocionet e lojës së futbollit, në një miqësore, të zhvilluar në Tiranë. Rezultati nuk kishte rëndësi, por përmbushja e misionit “sporti bashkon”.
Duke lënë mënjanë, për një farë kohe, impenjimet dhe tensionin e lajmeve, përfaqësues të Televizionit Publik shqiptar dhe ata të Televizionit të Malit të Zi, përjetuan emocionet e lojës së futbollit, në një miqësore, të zhvilluar në Tiranë. Boris Raonic, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Malit të Zi dhe Alfred Peza, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar tregojnë emocionet dhe misionin e kësaj miqësoreje.
Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Malit të Zi, Boris Raonic: “Të shijojmë lojën dhe të shpenzojmë pak kohë me miqtë tanë kolegë të Radio Televizionit Shqiptar. Ne kemi kohë që kemi krijuar ekipin tonë. Kemi luajtur ndeshje miqësore me kolegët tanë të televizionit të Kosovës, Bosnjës dhe Maqedonisë. Por kemi krijuar edhe një ligë të veçantë ku shpesh luajmë për të fituar trofeun e saj”.
Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza: “Kjo ndeshje e tejkalon sportin, e tejkalon thjeshtë një orë të caktuar të disa burrave, disa djemëve të dy televizioneve publike të dy vendeve tona, pasi raportet njerëzore përforcojnë akoma më shumë raportet profesionale, raportet e bashkëpunimit ndërinstitucional me radio televizionet publike të vendeve fqinje. Me Mlain e zi, ashtu si dhe me Kosovën dhe vendet e tjera, ne po krijojmë një traditë të shkëlqyer, e cila do vijë duke u thelluar në të mirë të interest publik të vendeve tona, të cilat me siguri në të ardhmen do të sjellin projekte shumë më të mira profesionale televizive dhe prodhime të përbashkëta që do i shërbejnë informimit dhe edukimit, gjithashtu edhe argëtimit të popujve tanë”.
Përfaqësuesit e Radio Televizionit të Malit të Zi e fituan ndeshjen, por misioni i vërtetë i kësaj miqësoreje ishte “Sporti bashkon“.