RTSH Sport Live

Shqipëria e koshit, katastrofike

  • 12/11/2021
  • |
  • Basketboll
Shqipëria e koshit, katastrofike
Humbje me 116 pikë diferencë ndaj Polonisë në ndeshjen e parë kualifikuese EURO 2023

Shqipëria në basketboll për femra, jo vetëm që mbetet në nivel inferior në arenën ndërkombëtar, por vazhdon të turpërohet me humbje katastrofike përballë çdo kundërshtari. Kështu ka ndodhur dhe të enjten në mbrëmje, ndërsa kombëtarja jonë në ndeshjen e parë kualifikuese të Kampionatit Europian 2023 ndaj Polonisë në transfertë është mundur me 116 pikë diferencë, 125-19. Polaket ushtrojnë presion që në fillim.

Luajnë mirë presingun dhe nuk lënë hapësira për basketbollistet tona. Janë shkëputur që në fillim 20-3 për ta përfunduar periodën e parë 38-9, atje ku dallohet vetëm Qose me 5 pikët e saj, apo dhe deri diku Lugaj e Verri. Shqipëria ka probleme në shfrytëzimin e sulmit, aq sa disa herë i ka përfunduar 24 sekondëshi pa arritur të gjuajë në koshin kundërshtar. Madje edhe kur është fjala për gjuajtje të lira përsëri eficenca është zero. 38-4 perioda e dytë për Poloninë, skuadër e cila në pushim ka kryesuar 76-13.

Vazhdon i njëjti ritëm i vendësve edhe pas pushimit. 29-2 perioda e tretë, kurse rezultati thellohet në 105-15. E fundit 20-4 për të vulosur humbjen e parë të Shqipërisë, 125-19. Në total, Shqipëria në këtë ndeshje realizoi një gjuajtje për tre pikë, 7 gjuajtje për dy pikë dhe vetëm dy gjuajtje të lira.

Ndërkohë që kundërshtari numëronte 13 gjuajtje me vlerën e tre pikëve, 39 gjuajtje për dy pikë dhe 8 gjuajtje të lira. Madje polaket kanë qenë të ashpra dhe në mbrojtje, atje ku kanë shkaktuar 8 faulla kundrejt 4 të skuadrës sonë, e cila ka pasur probleme të mëdha në prapavijë.

Po në grupin D, Turqia ka fituar në transfertë ndaj Sllovenisë, 78-62. Të dielën, në ora 18:00, në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, Shqipëria do të presë Slloveninë, një ndeshje e cila do të transmetohet në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Por që niveli aktual dhe humbja e pësuar në Poloni nuk lënë hapësira e diskutime për një pamje ndryshe.