RTSH Sport Live

Shqipëria, përballë Bullgarisë më 17 tetor

  • 20/07/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, përballë Bullgarisë më 17 tetor
Konfirmohet miqësorja që i rikthen ekipet përballë njëra-tjetrës pas 16 vitesh

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Bullgarinë për herë të parë pas 16 vitesh. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se ka arritur akordin me Federatën Bullgare që kjo ndeshje të luhet më 17 tetor 2023 në stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës, ndërsa orari mbetet për t’u përcaktuar. Siç dihet, FIFA ka lënë data të lira për të gjitha ekipet përfaqësuese që janë në grupe me nga 5 ekipe secili. Edhe në muajin mars, ishte planifikuar një miqësore kundër Uzbekistanit, por që u anulua në ditët e fundit. Kësisoj, për në tetor, FSHF gjeti mirëkuptimin me Federatën Bullgare për të shfrytëzuar këtë datë zyrtare për të organizuar një ndeshje miqësore.

Më 12 tetor, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo do të luajnë ndaj Republikës Çeke në Stadiumin “Arena Kombëtare në kryeqytet, në sfidën e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”. Sa i përket miqësores me Bullgarinë, kjo do të jetë hera e 13-të që dy përfaqësueset ballkanase do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën, Shqipëria dhe Bullgaria janë përballur jo vetëm në miqësore, por edhe në ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian, ato të Kampionatit Botëror, por edhe për Kupën Ballkanike.

Në 13 përballje, kuqezinjtë kanë fituar dy prej tyre, duke marrë 4 barazime dhe duke pësuar 7 humbje, me një golaverazh prej 8 golash të shënuar dhe 17 të pësuar. Në muajin shtator, Shqipëria do të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e saj drejt “Gjermani 2024”, kundër Republikës Çeke më 7 shtator në fushë të huaj dhe 3 ditë më vonë, ndaj Polonisë në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet.