RTSH Sport Live

Shqipëria U-17, tre pikë ndaj Kazakistanit

  • 30/11/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U-17, tre pikë ndaj Kazakistanit
Vlen goli i Ndocit në të 50’ për t’i mbyllur këto kualifikuese me sukses

Shqipëria  në futboll për femra për moshën deri në 17 vjeç i ka mbyllur fitore kualifikueset e Kampionatit Europian. Bëhet fjalë për Ligën B, grupi B4, ndërsa vajzat kuqezi të drejtuara nga Agustin Kola kanë fituar 1-0 me Kazakistanin në “Elbasan Arena”.

Një ndeshje e kontrolluar nga vajzat kuqezi, të cilat i afrohen golit në të 7’ me Gjonajn, që në ecje e sipër e godet topin pranë shtyllës së djathtë pingule të portës kazake. Më pas Naken i thotë “jo” golit në goditjen e Ndocit në të 14’. Por të njëjtën gjë e bën dhe me Vatën në të 29’ dhe Gjonajn në të 38’. Mundësinë më ideale e ka patur Ndoji në të parën minutë shtesë të pjesës së parë, por edhe pse i ka lënë nga pas mbrojtëset kazake gjuatja e saj ka lënë për të dëshiruar.

Në pjesën e dytë, kjo në të 50’. Inkursioni i shpejtë i Ndocit, goditja dhe topi që përfundon në të majtë të Naken. Kazakistani mundohet të ndryshojë ritmin e lojës, por ka hasur përballë një mbrojtje të ngjeshur dhe në vërshëllimën e fundit të Kruc, 1-0 për Shqipërinë. Në ndeshjen tjetër, Uellsi ka fituar 6-0 me Ishujt Faroe e me 9 pikë të plota e golaverazhin 9-0 siguron kalimin në Ligën A të kualifikueseve të Kampionatit Europian të Futbollit të Femrave për moshën deri në 17 vjeç, finalet e të cilin zhvillohen në Suedi më 5-18 maj 2024.