Shqipëria e Nën-17-vjeçarëve e fitoi me rezultatin 2-0 ndeshjen e parë miqësore të muajit shtator kundër Maltës. Në takimin e luajtur pasditen e së hënës në një nga fushat e “Shtëpisë së Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari bindën jo vetëm me rezultat e gola, por edhe me paraqitjen e tyre mjaft të mirë. Oresti Rifa e Matias Gici realizuan golat e fitores, ndërsa spikati pa diskutim edhe talenti Brajan Gjyla, i cili dha pasimet e fundit për të dy golat dhe tentoi disa herë portën kundërshtare.
Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë dominuese, duke krijuar disa raste shënimi, teksa goli i parë erdhi shumë shpejt. Oresti Rifa kaloi në epërsi Kombëtaren kuqezi që në minutën e 5-të të takimit, pas pasimit të Gjylës. E teksa Tedi Malaj, vetë Gjyla dhe Kris Gecaj e synuan dhe e goditën portën e maltezëve, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, është Matias Gici realizoi edhe golin e dytë për Shqipërinë, i cili topin e marrë brenda zonës nga Gjyla, e çon në rrjetën e portës kundërshtare.
Pjesa e parë do të mbyllet kështu me epërsinë e dyfishtë të Nën-17-vjeçarëve kuqezinj, të cilët krijojnë edhe disa raste të tjera gjatë 45 minutave të dyta, por nuk ia dalin të finalizojnë. Mbyllet kështu me fitoren 2-0 në favor të kuqezinjve miqësorja e parë e muajit shtator të skuadrës së të Ardi Beharit, ndërsa të mërkurën, Nën-17-vjeçarët do të zhvillojnë ndeshjen e dytë miqësore po ndaj Maltës.