Trajneri i Kombëtares, Silvinjo ka humbur njeriun e shtrenjtë, nënën e tij. Braziliani ka udhëtuar menjëherë drejt Brazilit për të qenë pranë familjes së tij në këtë moment të vështirë. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili me një mesazh të publikuar në rrjetet sociale ka shprehur hidhërimin e tij për këtë humbje dhe i shpreh ngushëllimet më të thella trajnerit Silvinjo.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së trajnerit të Kombëtares sonë, Silvinjo. Në emrin tim, në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të çdo anëtari të komunitetit të futbollit i përcjell trajnerit Silvinjo ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Në këtë moment të vështirë i gjendemi pranë Silvinjos dhe familjes së tij, që humbën një njeri shumë të dashur për ta. U prehtë në paqe!”, – shkruan Presidenti Duka.