RTSH Sport Live

Superliga e Kosovës mbyll javën e 14-të

  • 13/11/2023
  • |
  • Kosova
Superliga e Kosovës mbyll javën e 14-të
Regjistrohen 4 fitore të ekipeve vendëse dhe një barazim, shënohen 11 gola

Me takimin e luajtur të hënën pasdreke, aty ku Ballkani ka mundur në fushën e vet Dukagjinin me rezultatin 3-1, ka ulur siparin java e 14-të e Superligës së Kosovës. Skuadra e trajnerit nga Tirana, Ilir Daja, ka kaluar e para në epërsi, me anë të Nazmi Gripshit, që realizoi në minutën e 15-të, por pjesa e parë do të mbyllet në barazim 1-1, pas golit të realizuar për miqtë nga Hugo. Por golat e realizuar nga Almir Kryeziu dhe Bleart Tolaj në dy skajet e pjesës së dytë i siguruan fitoren e 10-të në 12 ndeshje kampiones së Ballkanit. Ndeshjet e tjera ishin luajtur në fundjavë, dhe të premten, Malisheva fitoi me një gol të vetëm në shtëpi përballë Gjilanit, ashtu sikundër me një gol të vetëm fituan në shtëpi edhe Drita dhe Llapi, përkatësisht ndaj Fushë-Kosovës.

Në atë që ishte i vetmi barazim i javës Liria prit në Prizren Prishtinën, në një përballje ku ekipet shënuar nga dy gola dhe ndanë nga një pikë secila. Skuadra mike e ka nisur mjaft mirë, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës brenda 9 minutave të para e duke rrezikuar të gjejë edhe gola të tjerë. Sidoqoftë, skuadra vendase do të reagoje dhe do të godasë dy herë brenda çerekorës së fundit, duke marrë kështu një barazim 2-2 përballë kryeqytetasve.

Pas javë së 14-të, Ballkani kryeson me 32 pikë, 7 pikë më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Drita, me skuadrën e Dajës që ka luajtur vetëm 12 ndeshje e gjilanasit 13. Po 25 pikë, aq sa Drita, ka edhe Llapi, që sidoqoftë ka luajtur një ndeshje më tepër, ndërsa Malisheva me 20, Prishtina me 18 dhe Dukagjini me 17 ndodhen në mesin e renditjes, duke lënë në betejën e mbijetesës Gjilanin, që ka 14 pikë, por ka luajtur një ndeshje më pak, Ferronikelin me 10, Fushë-Kosovën me 12 dhe Lirinë e Prizrenit me 9 pikë.