RTSH Sport Live

Të gjithë në pritje të startit të F1

  • 03/03/2023
  • |
  • Formula 1
Të gjithë në pritje të startit të F1
Botërori 2023 nis me Çmimin e Madh në Bahrein

Sezoni 2023 në Formula 1 fillon menjëherë me një rekord jetëgjatësie dhe është Fernando Alonso, 41 vjeç, ai që e shënon këtë. Piloti spanjoll mban rekordet edhe për intervalin më të gjatë midis dy Çmimeve të mëdha 22 vite dhe kohën më të gjatë të qëndrimit në krye të renditjes për pilotë. Eshtë ai me numrin më të madh të garave 355, numrin më të madh të xhirove 19153 të tilla dhe km të përshkuar 95642. Tani ai do të arrijë rekordin e fundit: ky do të jetë sezoni i tij i 20-të në F1, një më shumë se Michael Schumacher dhe Kimi Raikkonen.

Një tjetër gjë që duhet ta mbajnë mend tifozët është ajo se nuk i duhet besuar kurrë fitores në garën e parë të kampionatit. Pasi ajo nuk është një garanci suksesi në botëror. Vetëm 33 herë nga 73 fituesi i garës së parë të sezonit është shpallur kampion, por kohët e fundit fitorja e parë duket se është kthyer pothuajse në një tabu. Në 6 kampionatet e fundit botërorë, fituesi i garës së parë nuk e ka fituar asnjëherë titullin: Vettel 2017 dhe 2018; Bottas 2019 dhe 2020; Hamilton 2021; Leclerc 2022. Për të tretin vit radhazi botërori i Formula 1 nis në Bahrein.

Sipas kompanive të basteve Verstappen është favoriti numër 1 për të fituar sërish titullin botëror. Leclerc dhe Hamilton janë pas tij. Edhe për titullin botëror për ndërtues Red Bull është më e favorizuar. Sfida e vendit të dytë është midis Ferrarit dhe Mercedesit. Sipas të gjitha parashikimeve, këtë fundjavë, moti në Sakir do të jet i mirë, me diell dhe pista do të jetë e thatë.

Temperatura do të shkojë deri në 23 gradë celcius. Të gjithë presin një garë të bukur dhe me rivalitet. Në orën 16.00 të dielën gara e parë e botërorit të Formula 1, e cila së bashku me provat zyrtare të shtunën po në orën 16.00 do të transmetohen drejtpërdrejt në RTSH.