RTSH Sport Live

Tirana, kryeqytet bardheblu

  • 19/03/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana, kryeqytet bardheblu
Vendos Devid, gabon penallti Ibraimi në debutimin me humbje të Vanolit

Edhe derbi me Dinamon nuk ngadalëson vrapimin e Tiranës, që pushton kryeqytetin e bashkë me të edhe kampionatin, në të cilin ka treguar një tjetër provë force me fitoren 1-0 ndaj bluve. Rezultati i pestë pozitiv radhazi për kryesuesit, që i shkaktojnë humbje në debutim Rodolfo Vanolit, skuadra e të cilit nuk bëri një ndeshje të keqe, por bart mbi vete mosbesim që i dënoi në fund edhe të dilnin me pikë, në penalltinë e humbur nga Ibraimi. Pa Najdovskin, Shehi i kishte zgjidhjet dhe Behiratche në mbrojtje spostoi Tolin në mesfushë me treshen e zakonshme ofensive, që sinjalin e parë e dha në të 7’.

Dinamo e luajti ndeshjen, hapur, në kërkim të një suksesi që do ishte moral dhe për renditjen, por shtylla u bë një pengesë serioze në ndalimin e diagonales së Ibraimit në minutën e 13-të. Blutë provuan të shtyhen përpara dhe u duk se ishin në gjendje ta bënin, pavarësisht se Bardhi në të 14’ nuk pati shënjestrën e duhur. Në anën tjetër, njeriu për të përmbajtur ishte Seferi dhe duhej ndërhyrja më e mirë e Simonit për të ruajtur ekuilibrin e rezultatit.

Kundërsulmet strategjike të bardhebluve megjithatë nuk topitën presionin në rritje të dinamovitëve që humben dy mundësi entuziaste në të 17’ me Haxhiun dhe në të 22’ me Lilaj. E pafalshme për një lojtar ekspert si mesfushori, i ndalur nga Bekaj vetëm për vetëm. Tirana nuk është se nuk vuajti, por gjërat mund të ishin komplikuar keq një minutë më vonë kur Samake arriti të shënojë, në zhvillimet e një goditje këndi, me VAR që zbuloi një prekje me dorë prej tij gjatë aksionit, që e bëri golin të pavlefshëm.

Tirana e kuptoi leksionin dhe ngriti qendrën e pritjes, një lëvizje që vuri në vështirësi Dinamon, e cila rrezikoi në minutën e 27’ kur Sofranac lejoi Devid të shkonte në konkluzion. 

Pjesa e dytë nuk ndryshoi skenarin e lojës, me Dinamon që kërkonte të vendoste diktatin e skuadrën e Shehit që priste momentin. Në minutën e 49’ Haxhiu nuk gjeti kuadratin, ndërsa në të 64’ Lilaj e dërgoi topin mbi traverse, duke i dhënë topit më tepër fuqi se sa duhej. Në këtë moment goditi Tirana, duke vendosur ndeshjen, që në këtë rast më tepër iu dhurua nga pasiviteti difensiv që nuk arriti të ndihmojë një Simoni që ndali Totren, por nuk mund të bënte asgjë në devijimin nga afër të Devid, që i mori kohën Sofranac.

Mundësia e vetme për të mos dalë e humbur nga derbi iu dha Dinamos pesë minuta nga fundi, kur Zhivanaj preku topin me dorë, gjë që nuk i shpëtoi VAR që sinjalizoi arbitrin Xhaja, por Ibraimi dështon të mposhtë Bekajn që konfirmohet një penallti pritës, duke i dhënë fitoren të tijve. Vanoli tradhëtohet kështu nga lojtari i tij më i kuotuar dhe renditja, me fitoret e Kastriotit e Egnatias, bëhet edhe më e rëndë…