Gjashtë fitore në gjashtë ndeshje dhe 18 pikë të plota në përfundim të dy fazave të parë të kampionatit për Tiranën e futbollit të sallës. Rezultat tenistik për bardheblutë e Artur Angonit të dielën në pasdite në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa Tirana ka fituar 6-1 me Partizanin.
Gjithçka ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, teksa Tirana e ka gjetur shpejt golin me Mërtirin në të 3’. Pas katër minutash dyfishon Prendi. Në harkun kohor të tre minutave kapiteni i Tiranës, Kaca, shënon dy herë dhe në fundin e pjesës së parë shifrat 5-0 i vulos Malaj. Pjesa e dytë është një kërkesë e vazhdueshme e Partizanit për të gjetur golin e nderit, që e shënon Danushi. Por sapo është vënë topi në qendër, Gjoka siglon golin e gjashtë për Tiranën.
Kampionati do të jetë pushim, ndërsa gjithçka do të përqendrohet tek Kupa e Shqipërisë. Të martën në ora 19:00 dhe 21:00 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Fllakës do të jenë gjysmëfinalet Vllaznia – Partizani dhe Tirana – Flamurtari, kurse finalja luhet të dielën. Fituese në fuqi e kampionatit dhe e Kupës së Shqipërisë është Tirana.