RTSH Sport Live

Topi i Artë 2024”, Presidenti Duka: Kurorëzim i gjithçkaje që kemi arritur së bashku.

  • 27/01/2025
  • |
  • Futboll Vendi
Topi i Artë 2024”, Presidenti Duka: Kurorëzim i gjithçkaje që kemi arritur së bashku.
“Të ecim akoma më përpara, më të bashkuar, dhe me më shumë pasion për atë që duam”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbajti një fjalim përshëndetës gjatë Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024. Në këtë event të veçantë dhe madhështor, Presidenti Duka shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj të gjithë aktorëve që kontribuan në sukseset dhe emocionet unike të vitit 2024.

Presidenti Duka falenderoi futbollistë e futbolliste, trajnerë, drejtues klubesh, akademish e shoqatash, arbitra, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FSHF-së, qeverinë, FIFA-n, UEFA-n, bashkëpunëtorë, sponsorë, tifozë si edhe ekipin Kombëtar shqiptar, që zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe bëri krenarë të gjithë shqiptarët në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Më poshtë, fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, e mbajtur në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2024”:

Shkëlqimin e kësaj mbrëmjeje, kuruar me aq shumë kujdes dhe dashuri deri në detaje, meritojmë që të gjithë ta shijojmë deri në fund, prandaj do të përpiqem të jem i shkurtër në fjalën time, thjesht për të shprehur falënderimet e mia më të sinqerta e të përzemërta për ju që keni zgjedhur të ndani këtë mbrëmje të veçantë me ne.

Sonte kemi privilegjin të kemi mes nesh Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, Presidentin e FFK-së, z. Agim Ademi, futbollistin e mirënjohur spanjoll Gaizka Mendieta, kolegët e federatave të tjera sportive e shumë personalitete të botës së futbollit dhe jo vetëm – miq të çmuar që u uroj mirëseardhjen.

 

Së pari, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për 27,000 anëtarë të përkushtuar në aktivitetin futbollistik 2024, Presidentë, sportistë, trajnerë, drejtues klubesh e akademish, stafe teknike, arbitra e sigurisht, administratën e FSHF-së për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë këtij viti rekordesh historike, me 14.670 ndeshje futbolli të organizuara për 154 kampionate kombëtare e rajonale.

Dua t’i uroj mirëseardhjen në futboll fëmijëve që janë bashkuar në familjen tonë gjate këtij viti, dhe t’i garantoj se mes nesh do të gjejnë nivelin më të lartë profesional e përkujdesjen maksimale për ta ndjekur pasionin, por në të njëjtën kohë, të ftoj akoma më shumë fëmijë që t’i bashkohen lojës sonë të bukur, mjafton vetëm pasioni e dëshira juaj. Federata e futbollit do të vazhdojë të sigurojë çdo gjë falas për ju, topa, uniforma e terrene sportive.

17 fusha futbolli janë shtuar këtë vit, 2 stadiume janë rikonstruktuar, por përsëri është pak. Në bashkëpunim me qeverinë do të shtojmë 5 stadiume të reja, në Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë e Kavajë.

Faleminderit ekzekutivit, bashkive dhe partnerëve privat që besuan e u angazhuan në projektet tona të infrastrukturës, duke krijuar hapësira të reja për të gjithë komunitetet tona dhe duke u dhënë shpresë të rinjve që ëndërrojnë një të ardhme në sport.

Dua të falënderoj UEFA-n që na besoi organizimin e 13 turneve zyrtarë ndërkombëtarë në vendin tonë, me pjesëmarrjen e 30 skuadrave europiane gjatë këtij viti, gjithashtu edhe për eventin madhor të besuar për 2025-n, Kampionatin Europian për 17-vjeçarët, që do të fillojë me ceremoninë e hedhjes së shortit në prill për 8 skuadrat e kualifikuara, e do te ngrejë siparin me ndeshjen hapëse në “Arenën Kombëtare” më datë 19 maj.

Jam shumë i sigurt që edhe ky event i rëndësishëm sportiv, si të gjitha organizimet e FSHF-së dhe me mbështetjen e të gjithë aktorëve e kryesisht të vullnetarizmit tashmë të kthyer në traditë për ne, do të jetë një kampionat model.

Ju ftoj ta shijojmë e ta mbështesim skuadrën tonë që për herë të parë merr pjesë në finalet e një Kampionati Europian për moshat.

Ne mezi presim të mësojmë vendimin për kandidaturën tonë për të qenë një nga dy vendet mikpritëse për Kampionatin e Euro 2027 U-21, që do të merret nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s më 4 shkurt. Një nga objektivat tona si Federatë është të sigurojmë që Shqipëria të jetë e gatshme të presë turne sportive prestigjioze si ky, që kanë potencialin për të transformuar futbollin në vendin tonë e për të krijuar një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Në shtator, Tirana do të jetë mikpritësja e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, një ngjarje që konfirmon konsolidimin e Federatës si një nga partnerët më të çmuar të UEFA-s dhe pjesë e elitës së futbollit europian.

Një falënderim i posaçëm për partnerët tanë besnikë Vodafone, Credins Bank, Sigal, MACRON, Uji Tepelena, Ëestern Union, Infiniti Destinations, të cilët kanë kontribuar në konsolidimin e futbollit shqiptar së bashku me Abissnet. Ne jemi pamja në fushë e menaxhim, por ju jeni mbështetja jonë, një pjesë e rëndësishme e fuqisë financiare që e bën të mundur këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm.

Të nderuar futbollistë të ekipit kombëtar

Nuk gjej fjalë për t’ju falënderuar për atë që ju na keni dhuruar duke na bërë pjesë të Euro 2024, duke na dhënë mundësinë që të shpalosim flamurin tonë kuq e zi, jo vetëm në Gjermani, por në çdo cep të globit, ne nuk ju a shpërblejmë dot. Kemi pasur nevojë të brendshme që ta shprehim me krenari që jemi shqiptar, kemi pritur një moment si ky, që të demonstrojmë vlerat tona kombëtare dhe të jemi po aq europian.

Falënderime, mirënjohje e respekt për të gjithë ju të dashur futbollistë!

Gjithashtu, falënderime e mirënjohje për vajzat e ekipit Kombëtar, që në garën e Nations League u renditën të parat në grup, e u ngjitën në Ligën B.

Me profesionalizëm, përulje e dashuri, do t’ju mbështesim ju djem dhe vajzat të ekipeve tona kombëtare, në kualifikueset që nisin së shpejti në shkurt e mars.

Duke ëndërruar për një tjetër destinacion, Botërorin 2026. Grupet janë të forta, rruga është e vështirë, por asgjë e bukur nuk vjen pa shumë punë, dëshirë e përkushtim.

Të gjithë ekipet e kanë lojtarin e 12-të, por i joni është më i miri, më i bukuri e më i pakursyeri, që nuk ju ka lënë KURRË vetëm, në momente suksesi e më pak suksesi. Në emër tuaj falënderime tifozëve të ekipit kombëtar.

Së fundmi, dua të falënderoj të gjithë fituesit e sotëm. Ju jeni zgjedhur si më të mirët brenda komunitetit tonë dhe ky vlerësim është një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit tuaj. Ju jeni modele frymëzimi për brezat e rinj, shembuj që na tregojnë se me punë dhe përkushtim gjithçka është e mundur.

Kjo ditë nuk është vetëm një festë – është kurorëzim i gjithçkaje që kemi arritur së bashku dhe një moment për të bërë një premtim të ri: këtë vit, të ecim akoma më përpara, më të bashkuar, dhe me më shumë pasion për atë që duam.