RTSH Sport Live

Topi i Artë, Benzema mbështet Vinicius: E meriton

  • 22/07/2024
  • |
  • Spanjë
Topi i Artë, Benzema mbështet Vinicius: E meriton
“Ai është gjithmonë aty kur Reali i Madridit ka nevojë për të”

Në agimin e ditëlindjes së tij të 36-të, Karim Benzema është në mesin e përgatitjeve verore me Al-Ittihad për të përballuar sezonin e tij të dytë në Ligën Saudite Pro. Ish-lojtari i Real Madridit, me të cilin arriti të fitonte Topin e Artë në vitin 2022, foli për çmimin e rëndësishëm  të futbollit në nivel personal.

Ajo që ishte më befasuese ishte se sulmuesi francez nuk përmendi Kylian Mbappe, i cili është edhe bashkëkombas i tij, por një ish-bashkëlojtar me të cilin kishte kënaqësinë të luante me fanellën e Los Blancos.

“Topi i Artë? Do të them Vini (Vinicius) sepse e meriton për sezonin e tij dhe jo vetëm për atë që bëri këtë vit”, ka shpjeguar Benzema në intervistën për MARCA. "Edhe në atë të mëparshmin ai u dallua për futbollin e tij dhe për atë që bën me topin. Është një djalë, një futbollist i kompletuar”.

“Ai mund të fitojë një ndeshje vetë, padyshim me ndihmën e shokëve të tij, por ai është shumë i mirë kur Real Madridi ka nevojë për të dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se ai e meriton atë trofe", shton ai. “Ai është gjithmonë i pranishëm. Për të gjitha këto, i preferuari im është Vini”.