Akademia e Futbollit ka arritur të triumfojë përballë Shënkollit në finale e 19-vjeçarëve në Kategorinë Superiore, një sfidë e transmetuar në RTSH Sport, duke kurorëzuar sezonin me titullin kampion. Në “Niko Dovana” është shfaqur një sfidë e luftuar, me Shënkollin që ka arritur të kalojë i pari në avantazh me anë të Përgjonit në minutën e 9-të.
Por avantazhi nuk do të zgjasë shumë, pasi Akademia arriti të vendosë barazpeshën pas gjashtë minutash me anë të Sinës, i cili shfrytëzoi një goditje këndi, për të finalizuar saktësisht me kokë. Gjithçka u mbyll në barazim 1-1 dhe skuadrat iu drejtuan penalltive.
Nga pika e bardhë, Akademia e futbollit u tregua më e saktë duke fituar 3-1. Medaljet për lojtarët i vendosi trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili gjithashtu dorëzoi dhe trofeun e kampionit për skuadrën fituese, duke festuar bashkë me ta.