RTSH Sport Live

UEFA “rrëzon” pretendimet për bileta false

  • 21/06/2022
  • |
  • Futboll Bota
UEFA “rrëzon” pretendimet për bileta false
Hetimet në Senatin francez, dëshmon zyrtari i UEFA-s: Numri, i papërfillshëm

Një përfaqësues i lartë i UEFA-s deklaroi të martën se nuk i besonte aspak pretendimet e ministrit të Brendshëm të Francës, Zherald Darmanën, për numrin e biletave false në qarkullim gjatë skenave kaotike para finales së Ligës së Kampionëve të muajit të kaluar, midis Liverpulit dhe Realit të Madridit. Kjo finale është zhvilluar në stadiumin “Stadë de France” në Paris në fund të muajit të shkuar. Pas ndeshjes së 28 majit, ministri Darmanën pretendoi se rreth 30,000 apo 40,000 bileta false në duart e tifozëve të skuadrës së Liverpulit ishin shkaku i problemeve pasi policia futi mijëra tifozë në nënkalimet e mbipopulluara rreth stadiumit.

E për shkak të kësaj, sipas tij, erdhi edhe te shtyrja e ndeshjes finale për më shumë se 30 minuta. Por Martin Kallen, drejtor i përgjithshëm i evenimenteve të UEFA-s, i cili është përgjegjës për pjesën komerciale të këtij institucioni, tha në një seancë dëgjimore në Senatin francez, që po heton incidentet, se shifra e biletave të falsifikuara ishte shumë më e ulët, ndërsa këmbënguli se nuk ka gjasa që rreth 40.000 bileta të ishin falsifikuara për finalen e veprimtaritë më prestigjioze të klubeve të Evropës.

“Ne e dimë se ishin rreth 2,600 bileta të falsifikuara edhe pse ndoshta numri i tyre mund të jetë edhe pak më i madh, - ka thënë Kallen. “Saktësisht, nuk e dimë se sa bileta ishin të falsifikuara për shkak se nuk mund ta verifikojmë këtë, - ka shtuar zyrtari evropian, duke vijuar: “Megjithatë, ne nuk besojmë se është numri i përmendur në Francë, pra rreth 30.000 deri në 40.000 ishin të falsifikuara. Nuk ka gjasa që të jetë një numër kaq i madh.”

Keller tha se nuk ishin biletat e falsifikuara, por faktorë të tjerë shkaktuan problemet në “Stade dë Francë”, në kaosin që pa policinë franceze të përdorte gaz lotsjellës nga afër ndaj njerëzve, madje edhe kundër fëmijëve. Krahas zyrtarit të lartë të UEFA-s, dëshmi në Senatin francez do të japin edhe tifozët e skuadrës së Liverpulit dhe Realit të Madridit. Të dy ekipet kanë kërkuar sqarime për skenat që ndodhën para finales, ku shumë tifozë me bileta mbetën jashtë stadiumit.

UEFA ka nisur hetimin e saj, të mbikëqyrur nga një ish-ministër portugez i Arsimit dhe Sportit, për të cilin Kallen tha se do të paraqesë verdiktin e tij përfundimtar në muajin shtator.