RTSH Sport Live

Vllaznia ruan vendin e dytë në shtesë

  • 04/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia ruan vendin e dytë në shtesë
Goli i Dodaj në minutën e 93’ i jep fitoren shkodranëve ndaj Dinamos

Fitorja e dytë radhazi në po aq ndeshje në krye të Vllaznisë, por këtë herë kanë qenë drithërima për Thomas Brdaric. Shkodranët mbajnë vendin e dytë, por vetëm falë golit të Dodaj në minutën e 93-të, që shembi Dinamon në javën e 34-ët të Superiores. Në “Loro Boriçi” u luajt një ndeshje e kujdesshme, duke patur parasysh atë që ishte në lojë.

Balaj në minutën e 8’ dha sinjalin e parë, pa impenjuar Salin, ashtu si, në fakt, bëri edhe Denison në minutën e 22’. Dinamo provoi të shfrytëzonte zhdërvjelltësinë e manovrës dhe me Denison e Zabërgjën në minutat e fundit të pjesës së parë rrezikoi seriozisht portën e Qarrit. Dinamo kishte nevojë për një fitore për të mbajtur vendin e katërt në renditje dhe për tu shkëputur nga ndjekësit që e rrezikojnë e kjo e bëri të shtyhej përpara edhe pas rifillimit, duke tentuar me Qefalian që nuk gjeti kuadratin.

Brdariç aty ndërhyri në formacion, me Ajdarevic e Grudën, por sërisht pranë golit shkoi Dinamo. I pafat Qefalia në minutën e 62’ me topin që u stampua në traversë. Kryeqytetasit mbajtën mesin e fushës nën kontroll dhe vazhduan të provojnë shanset përpara, gjithnjë me Qefalian, ndërsa Vllaznia u duk se më shumë mendonte të ruante një barazim që do ta zyrtarizonte në Final Four por nuk do ta ndihmonte për vendin e dytë.

E pikërisht kur u mendua se 0-0 do të mbetej në lojë deri në fund, në minutën e 3 shtesë, Kevin Dodaj shënoi golin e fitores, duke devijuar në rrjetë pasimin nga e majta. Vllaznia në atë moment u rikthye në vendin e dytë, një pikë përpara Partizanit dhe e sheh veten vetëm dy pikë larg Egnatias kryesuese, vend që mund ta tentojë në dy javët e mbetura të kampionatit.

Ndeshja e radhazi pa fitore për Mehmetin, që mbetet i katërti, në shoqërinë e Skënderbeut dhe një pikë mbi Tiranën, me vetëm 6 pikë të mbetura në lojë.