Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur fitoren e dytë në kampionat, teksa të dielën pasdite, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, ka mundur Teutën, 82-65. Një ndeshje e luajtur mirë nga kuqeblutë, të cilët kanë fituar periodën e parë 16-13. 16-15 e dyta po për kuqeblutë, që në pushim kanë kryesuar 32-28. Vllaznia mban të njëjtin ritëm edhe në periodën e tretë, teksa ka thelluar në 53-46. E fundit i vë vulën suksesit të Vllaznisë. 29-19 dhe në total 82-65. Në përfundim të ndeshjes për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar, trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi do të pohonte
"Me këtë që treguan në fushë nuk di me thënë gjë tjetër por një falenderim për të gjithë djemtë. Unë jam shumë krenar për ato që dhanë maksimumin në fushë. I treguam të gjithëve se nëse luajmë të bashkuar dhe me shprehjen "një për të gjuithë dhe të gjithë për një" do të jemi të vështirë për të gjithë”, ka përfunduar Bekteshi.
Në javën e katërt, Teuta do të presë Partizanin, kurse Vllaznia do të presë në Shkodër, Kamza Basket.