Roma barazoi 0-0 me Real Sociedad dhe u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Evropës falë fitores 2-0 në Olimpico. Një lojë me vuajtje të madhe për djemtë e Mourinhos, të cilët sidomos në pjesën e dytë u detyruan të strehohen në gjysmëfushën e tyre për të mbrojtur rezultatin. Shfaqja e shkëlqyer e Rui Patricio dhe e gjithë mbrojtja bëri pjesën tjetër. Kështu, verdhekuqtë i bashkohen Juventusit dhe presin shortin e së premtes për të njohur kundërshtarin e tyre në raundin tjetër.
Granit Xhaka ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në Europa League, por që nuk i ka mjaftuar skuadrës së tij, Arsenalit që të kualifikohet në çerekfinalet e këtij kompeticioni. Mesfushori ka arritur që të zhbllokojë sfidën me Sporting në minutën e 19-të, por portugezët janë përgjigjur me një gol të Goncalves në minutën e 62-të. Me një rezultat të barabartë, skuadrat i janë drejtuar llotarisë së gjuajtjeve të 11-metërshave për të vendosur kualifikimin. Ai që ka gabuar për anglezët është pikërisht Martinelli, një nga pikat më të forta të kësaj skuadre. Arsenali ndalet këtu, Sportingu në çerekfinale.
Në sfidat e tjera të mbrëmjes, Leverkusen përsërit ndeshjen e parë duke fituar 2-0 dhe në ndeshjen e kthimit, atë të luajtur në shtëpinë e Ferencvaros. Një gol i Diaby që në minutën e 3-të e bëri më të lehtë për gjermanët, ndërsa Adli në minutën e 81-të mbylli të gjitha llogaritë, duke siguruar një vend në çerekfinale.
Union St. Gilloise bën surprizën e madhe duke mundur 3-0 Union Berlin dhe duke siguruar një vend në tetë më të mirat Europa League. Kujtojmë që ndeshja e parë mes tyre përfundoi në barazim 3-3.