RTSH Sport Live

Ylli Shehu: Ju tregoj gabimet e Partizanit

  • 26/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Ylli Shehu: Ju tregoj gabimet e Partizanit
Në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, Shehu ka theksuar: Të kuqtë kanë gabuar me skuadrat e vogla, nëse do i kishin marrë ato pikë…

Skuadra me sulmin më të mirë(44 gola të shënuar) dhe mbrojtjen e dytë më të mirë, pas Teutës(17 gola të pësuar, 13 ka Teuta). Ky është Partizani, që pas javës së 29-të të Kategorisë Superiore mban vendin e parë, bashkë me Vllazninë, në kuotë të njëjtë pikësh 53. Për të analizuar ecurinë e të kuqve, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, një emër i madh i Partizanit dhe futbollit shqiptar, Ylli Shehu, ka dhënë mendimin e tij.

 “Këtë vit është bërë një kampionat i fortë, ka patur shumë ekipe pretendente. Partizani ka shfaqur një ecuri të mirë, pavarësisht gabimeve që ka bërë me skuadrat që luftojnë për të mos dalë nga kategoria. Po ti kishte marrë ato pikë, ashtu siç i kanë marrë skuadrat e tjera, tani do të ishte i shkëputur në kryesim. Por besoj se është në rrugë të mbarë. Fundi i kampionatit do të tregojë forcën e ekipeve”.

“Po të shikojmë statistikat, është një Partizan që ka shënuar shumë gola. Është treguar një skuadër më ofensive se në vitin që u shpall kampion. Lidhja mes reparteve ka qënë shumë e mirë. Është një Partizan, që nuk pëson lehtë gol dhe pjesa përpara ka qënë më efikase”.

“Të gjithë rivalët janë të rrezikshëm se tani vjen moment i fundit dhe të gjitha përplasen mes tyre. Por Partizani ka dhënë më të mirën përballë rivalëve, problem ka treguar me skuadrat që kanë qënë më poshtë. Me rivalët ka qënë një ekip solid, i ka merituar ato pikët që ka marrë”.

“Në këtë fund kampionati do të shihet dhe forca e ekipit, puna në grup, efikasiteti i rezervave. Partizani ka treguar vlera, mendoj se ka një stol më të fuqishëm se sa ekipet e tjera. Le të shikojmë se si do të paraqitet deri në fund me ekipet e cilësuara si pretendente”, ka deklaruar Shehu.