Egnatia vuan, por arrin që të marrë një fitore të çmuar në një transfertë të vështirë. Rrogozhinasit fitojnë 2-0 në “Adush Muça” përballë vendasve të Bylisit dhe pas këtij suksesi ngjiten në vendin e tretë në renditje.
Sfida ka qenë e luftuar dhe rastet për shënim kanë qenë të pakta në të dyja kampet. Bakajoko pengohet në zonë dhe gjyqtari akordon penallti për miqtë. Zejnullai tregohet i saktë nga 11-metrat dhe kalon në avantazh Egnatian.
Rrogozhinasit mundohen të ruajnë këtë avantazh edhe në pjesën e dytë, që është më e luftuar dhe më e tensionuar. Bylisi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, por ndëshkohet nga Egnatia, që shënon edhe golin e dytë me Ujkën në minutën e 98-të dhe vulos fatin e kësaj sfide.
Kampionët në fuqi të vendit fitojnë 2-0 në “Adush Muça” dhe falë këtij suksesi ngjiten në vendin e tretë në renditje. Komplikohet situata për Bylisin, që mbetet në vendin e fundit me vetëm 10 pikë të grumbulluara në 14 javë kampionat.