RTSH Sport Live

“Derbi në ajër”, kërkohet një stadium për sfidën Tirana-Dinamo

  • 16/10/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
“Derbi në ajër”, kërkohet një stadium për sfidën Tirana-Dinamo

Pas ndeshjeve të kombëtareve, Abissnet Superiore rikthehet në ekranin e RTSH, për të luajtur ndeshjet e javës së fundit të fazës së parë. Java e nëntë e kampionatit ofron disa sfida interesante, ku spikat derbi Tirana-Dinamo.

Derbi i kryeqytetit nuk do të luhet në Tiranë, pasi kushtet e fushës në “Air Albania” nuk janë optimale. RTSH Sport mëson se FSHF mund të “mbyllë” stadiumin për klubet, duke menduar për ndeshjet vendimtare të muajit nëntor të kombëtares në Nations League.

Klubi i Tiranës, që është edhe pritësi për këtë ndeshje, po studion alternativat, duke kërkuar një stadium për të luajtur kundër rivalëve të Dinamos. Sipas burimeve nga klubi bardheblu derbi me shumë mundësi do të spostohet në Korçë, por edhe Vlora mbetet një alternativë.

Tirana-Dinamo nuk do të luhet në “Air Albania”. Derbi i kryeqytetit (vetëm emri i ka mbetur i tillë) “mbetet në ajër”, duke pritur emrin e stadiumit ku do të zhvillohet dueli i radhës mes dy rivalëve të vjetër.