Me ardhjen e Frederic Vasseur në krye të Ferrarit, ai menjëherë filloi të shikonte përreth tij. Ndaj edhe largimi i David Sanchez, Shefit të aerodinamikës te Ferrari, duket se nuk e ka gjetur të papërgatitur drejtorin e skuadrës italiane. Pasiguritë që u panë te njëvendëshet e kuqe gjatë garës së parë të botërorit 2023 të Formula 1, tregojnë se diçka nuk po shkon si duhet në përgatitjen e këtyre makinave. Koha është gjithmonë e shkurtër, në Formula 1.
Sanchez i bashkohet Ruedës, Giacobazzit e Rosatos, të larguar tashmë nga stafi i Ferrarit. Jonathan Giacobazzi dhe Gino Rosato, janë dy figura të hershme te skuadra e kuqe, por që tashmë nuk shihen më. Por duke iu referuar çështjes së përmirësimit të makinës së garës, tani urgjenca është të gjendet zëvendësuesi i Sanchezit. Në këtë aspekt Vasseur është një nga ata që lëvizin më mirë se kushdo tjetër, sepse në 7 vitet e fundit ka qenë në krye të tre skuadrave të ndryshme, përveç Ferrarit edhe te Alfa Romeo dhe Renault.
E për rolin specifik të Sanchezit, një zgjidhje për zëvendësimin e tij mund të jetë Alex Cinelli, që aktualisht është te Alfa-Romeo. Do të ishte një rikthim në fakt. Cinelli ishte zëvendësi i James Allison në periudhën e tij të parë te Ferrari, kur ai ishte Shef i Aerodinamikës, në vitet e arta të Michael Schumacher. Kjo është një mundësi.
E që Vasseur po përpiqet të sjellë njerëzit e tij të besuar në Maranello, më të mirët me të cilët ka punuar vitet e fundit, është një thashethem i përhapur tashmë. Edhe emri i Simone Resta është një nga ata që po përmendet. Edhe pse në këto kushte të vështira, me mungesë personeli drejtues, skuadra e Ferrarit por përgatitet për të shkuar në Jeddah dhe për të bërë një paraqitje më të mirë se sa ajo në Sakhir.
Misioni është që të bashkojnë forcat të gjithë, ata që janë në maranello, për të qenë më konkurrues në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, i programuar për t’u zhvilluar në 19 mars. Por të mos harrojmë se Ferrari SF-23, me të cilin garuan Leclerc e Sainz në bahrein është një makinë e re, e prezantuar vetëm një muaj më parë. Ndaj duhet kohë për të parë se çfarë i duhet kësaj makine për t’u përballur denjësisht me Red Bullin.