RTSH Sport Live

“Grushta të zjarrtë” në ringun shkodran

  • 27/03/2024
  • |
  • Sporte të tjera
“Grushta të zjarrtë” në ringun shkodran
Trajneri i Vllaznisë në boks, Zef Gjoni, tregon se ky aktiviteti i kalon pritshmëritë

 “Grushta të zjarrtë” quhet turneu ndërkombëtar i boksit profesionist, që të shtunën, duke nisur nga ora 17:00, do të zhvillihet në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër. Disa ditë përpara këtij aktivitetit, organizatorët e saj kanë dalë në konferencë për shtyp. Për kryetrajnerin e “dorezave” shkodrane, Zef Gjoni, ky aktivitet i kalon të gjitha pritshmëritë. Ai i ka bërë thirrje publikut të jetë sa më i shumtë të shtunën.

"Në radhë të parë do t'i ftoj boksierët, tifozët, që të vijnë sepse realisht do të shohin një boks profesionist dhe real", ka nënvizuar Zef Gjoni.

Në këtë konferencë për shtyp kanë folur dhe Edmond Ndou dhe Melser Abdyli, të cilët jetojnë prej vitesh në Gjermani, ndërsa janë dashamirës në kontributin e tyre për sportin shkodran.

"E bëjmë me zemër të tre sepse jemi shkodranë. Ju mirëpresim të gjithëve në Pallatin e Sportit", thotë Edmond Ndou.

"Jemi munduar të zgjedhim elitën dhe boksierët më të fortë në Shqipëri. Jemi munduar t'i zgjedhim më të fortët dhe t'i fusim në këtë aktivitet për të bërë boks të hapur dhe shumë profesionist", nënvizon Melser Abdyli.  

Ani Haxhillari, Rexhildo Zeneli, Bekim Vjerdha, Senad Drini, Arjon Kajoshi, Gelian Rajku, Alban Bermeta, Denis Nurja, Alban Beqiri, si dhe Nelson Hysa janë boksierët shqiptarë që do të ngjiten në ringun shkodran të shtunën. Një tjetër e veçantë në këtë turne është edhe pjesëmarrja e një emri shumë të njohur të boksit botëror, amerikanit Roj Jones Jr, i cili do të sjellë boksierin e tij Ikram Keruat.