RTSH Sport Live

Tirana fiton aktin e parë të finales

  • 22/04/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Tirana fiton aktin e parë të finales
Mund me përmbysje 3-1 Partizanin, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Ndonëse ka qenë Partizani që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë dhe ishte bindës edhe në gjysmëfinale, ndërsa Tirana erdhi në finale duke kaluar edhe nëpërmjet para-“play-off”-it, por edhe duke mbijetuar në 3 sfidat e gjysmëfinaleve ndaj Erzenit, ka qenë skuadra e trajnerit Ben Sako ajo që e ka ngadhënjyer në duelin e parë të finales së Superligës së Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, duke mundur të kuqtë 3-1 me sete.

Takimi i zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka parë skuadrën e Ylli Tomorrit ta fitojë setin e parë, me shifrat 25-21. Megjithatë, Tirana do të reagojë, duke e fituar atë të dytin 25-20 dhe duke vendosur kështu barazpeshën në sete.

Skuadra e Sakos do të shfrytëzojë momentin e mirë, duke mbizotëruar edhe në setin e 3-të, të cilin e ka fituar me rezultatin 25-21, duke përmbysur kështu gjendjen e seteve në favor të saj. Sikundër pritej, seti i 4-t ka qenë i luftuar, me Partizanin që përpiqet të mbetet në këtë përballje, por është Tirana që e fiton atë në pikët shtesë, 26-24, duke e marrë gjithë ndeshjen e parë 3-1 me sete ndaj Partizanit.

Takimi i dytë i finales për titull të rrjetës së meshkujve do të zhvillohet të enjten, duke nisur nga ora 19:00, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë në Fakrë, ndërsa sfida e 3-të të dielën, duke nisur nga ora 18:00, në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.