RTSH Sport Live

 “Oran 2022”, Evis Kushi dorëzon flamurin

  • 19/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
 “Oran 2022”, Evis Kushi dorëzon flamurin
29 sportistë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dorëzoi flamurin për delegacionin shqiptar, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. 29 sportistë do të përfaqësojnë vendin tonë, ndërsa Gresi Bajri dhe Alban Beqiri do të jenë flamurmbajtësit tanë në ceremoninë e hapjes dhe të mbylljes. Për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, tanimë janë marrë të gjitha masat që sportistët shqiptarë të mendojnë vetëm për garat që nga nisja më 21 qershor e deri në mbërritje.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe njerëz në këmbë

Shefi i misionit diplomatik të Algjerisë në Tiranë, Rida Nebaz, pasi ka bërë një paraqitje të shkurtër të organizimit të Lojërave Mesdhetare në Oran, apo dhe të vendit të tij, ka patur dhe një urim për të gjithë sportistët shqiptarë.

 “Orani është i gatshëm të mirëpres miqtë e tij, të cilët janë mbi 13 mijë sportistë në këto Lojëra Mesdhetare. E kjo nga Europa, Afrika e Azia. Ju miqtë e mi shqiptarë mund ta konsideroni Oranin dhe Algjerinë si shtëpinë tuaj. Mirëardhshi dhe u kthefshi me medalje e qëndrim të këndshëm në Algjeri”.

E ndërkohë urimet për sportistët shqiptarë kanë ardhur dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ndërsa Lojërat Mesdhetare në Oran zhvillohen 25 qershor – 6 korrik.