RTSH Sport Live

“Paris 2024”, Mbërrin në Rinas delegacioni olimpik shqiptar

  • 12/08/2024
  • |
  • Paris 2024
“Paris 2024”, Mbërrin në Rinas delegacioni olimpik shqiptar

Ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit delegacioni olimpik shqiptar të shoqëruar nga Kryebashkiaku Erion Veliaj, Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, Drejtori i Klubit Shumësportësh në Bashki, Gjergji Muzaka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, si dhe Presidenti i Federatës së Atletikës Shqiptare Taulant Stërmasi.

Delegacioni olimpik është pritur nga qytetarë të shumtë në një ceremoni të organizuar në Aeroportin e Rinasit.

Pas fitores historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev mbërritën në Rinas së bashku me dy medaljet e bronzta në kategorinë 65 dhe 74 kg.

Më 10 gusht, Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024, duke fituar medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.

Një medalje e dytë iu “dhurua” Shqipërisë nga mundësi shqiptar Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.

Garat e mundësve shqiptarë u transmetuan drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht nga Radio Televizioni Shqiptar që për 17 ditë ka qenë në transmetim maratonë të Lojërave Olimpike “Paris 2024”.