Delegacioni olimpik shqiptar do të mbërrijë në orën 10:00 në Aeroportin e Rinasit. Pas fitores historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev do të mbërrijnë këtë të hënë (12 gusht) në Rinas së bashku me dy medaljet e bronzta në kategorinë 65 dhe 74 kg.
Një ditë më parë kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të pranishëm në Aeroportin e Tiranës për të mirëpritur kampionët olimpikë që bënë krenarë gjithë Shqipërinë.
Më 10 gusht, Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024, duke fituar medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.
Një medalje e dytë iu “dhurua” Shqipërisë nga mundësi shqiptar Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.
Garat e mundësve shqiptarë u transmetuan drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht nga Radio Televizioni Shqiptar që për 17 ditë ka qenë në transmetim maratonë të Lojërave Olimpike “Paris 2024”.