FIFA duket se e ka të vështirë të qëndrojë larg skandalave. Sipas një raportimi të gazetës zviceriane “Sonntags Blick”, Xhani Infantino po paguan shollën e njërës prej vajzave të tij me fodnet e FIFA-s.
Sipas gazetës në fjalë vajza e Infantinos frekuenton një shkollë në Florida ndërsa Infantino u transferua në Majemi vetëm pak javë më parë.
Sipas dokumentave të bëra publike nga gazeta 54-vjeçari ka ngarkuar shpenzimet e të bijës në llogarinë e FIFA-s. Kjo e fundit paguan një tarifë mujore prej 5000 eurosh për vitin shkollor 2023/24 për vajzën e Infantinos.
Tarifat janë aprovuar nga Komisioni i Kompensimit në FIFA dhe nga kreu i burimeve njerëzore. FIFA gjithashtu është ngarkuar të paguajë një apartament të Infantinos në Paris dhe një apartament në katin e fundit të një pallati në Zug (afërsisht 8,850 euro në muaj).
Në artikull "Sonntags Blick" kritikon FIFA-n për faktin se nuk bën publike shifrat dhe avantazhet financiare që ka Infantino si president i këtij institucioni. Publike është vetëm paga standard e numrit një, e cila është rreth 4.45 milionë euro në vit.