Tirana ka harruar shijen e fitores, e cila i mungon prej gjashtë takimesh. Në Kurbin, të besuarit e Maganit morën një tjetër goditje pasi Laçi me triumfin e arritur i parakaloi edhe në tabelën e klasifikimit duke e bërë edhe më të hidhur këtë disfatë që u konsumua në fraksionin e dytë të takimit.
Sa i përket kronikës pjesa e parë ishte e ekuilibruar edhe pse Tirana që të tregohej më e saktë dhe shkoi në dhomat e zhveshjes në avantazh të një goli të shënuar nga Ngreca, i cili në të 40’ finalizoi një aksion të bukur të bardhebluve.
Pjesa e dytë ishte një monolog i vendasve, të cilët u dukën qartë më të motvuar për të arritur qëllimin e tyre. Të besuarit e Morieros goditën dy herë bardheblutë me Kordeiro Melon, i cili shënoi dy gola të shpejtë në minutën e 47’ dhe 51’. Laçi nuk hoqi dorë nga sulmi dhe duke përfituar nga plogështia e skuadrës së Maganit, e cila herë herë dukej se kishte pa mundur të kalonte mesin e fushës, arriti që të gjente edhe golin e qetësisë falë Traore.
Shifrat e fiksuara në minutën e 60’ qëndruan deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit, i cili i dha fund vuajtjeve të bardhebluve në të 96’. Pas kësaj fitoreje Laçi ngjitet në vendin e shtatë në kuotën e 20 pikëve ndërsa Tirana rrëshqet një vend më poshtë me dy pikë më pak.