RTSH Sport Live

Alban Beqiri, mrekullia e boksit shqiptar

  • 31/10/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Alban Beqiri, mrekullia e boksit shqiptar
Mund panamezin Bekford dhe kualifikohet për në çerekfinalet e Botërorit

Mrekullia e boksit shqiptar në Kampionatin Botëror të të rriturve në Beograd vazhdon. Dhe ka vetëm një emër, që është Alban Beqiri, i cili me shumë meritë është në raundin çerekfinal të peshës 67-71 kilogram. Pasi kishte kaluar më parë kenianin Maina dhe lituanezin Banis, në 1/16 e finaleve është vënë përballë panamezit Bekford, që me shtatlartësinë e tij krijonte vështirësi. Por boksieri bardheblu, falë goditjeve të sakta, apo dhe teknikës më perfekte se Bekford, ndërsa ka ditur të shmanget sidomos në vendosjet kokë më kokë, si dhe pranë litarëve, ia ka dalë.

4-1 në vendimin e gjyqtarisë për Alban Beqirin, ndërsa pikët e gjyqtarisë ishin 28-29, 29-28, 29-28, 30-27 dhe 30-27. Tanimë në raundin çerekfinal të peshës 67-71 kilogram, Alban Beqiri do të ketë përballë jordanezin Zejad Eashash, i cili në raundin e 1/16 të finaleve mundi norvegjezin Emini. Një ndeshje, e cila do të zhvillohet të martën, kurse gjysmëfinalet më 4 nëntor dhe finalja e madhe do të jetë më 6 nëntor.

Nëse Beqiri do të mund të kalojë dhe jordanezin Zejad Eashash minimalja do të jetë medalja e bronztë, e cila jepet për të dy gjysmëfinalistët e mundur, e maksimalja e argjendta, apo e arta. Megjithatë duhet pritur e marta, kurse Alban Beqiri vijon të bëjë mirë në Botëror. Tre ndeshje, tre fitore, e Beogradi vijon të flasë shqip pikërisht prej Alban Beqirit.