Nuk ka Mercedes apo Red Bull, Fernando Alonso ka rinovuar me Aston Martin. Kampioni spanjoll dhe skuadra britanike kanë bërë të ditur se kanë arritur një marrëveshje për zgjatjen e kontratës së paku deri në vitin 2026. Pasi kaloi nga Alpine te Aston Martin në vitin 2023, 42-vjeçari me një goditje hedh poshtë thashethemet që qarkullonin në kampin e Formula 1 rreth pensionimit të tij të mundshëm ose rikthimit të tij të mundshëm në një ekip të lartë si Mercedes apo Red Bull.
Drejtori i ekipit, Mike Krack tha: "Sigurimi i së ardhmes afatgjatë të Fernando me Aston Martin është një lajm fantastik. Ne kemi ndërtuar një marrëdhënie të fortë pune gjatë 18 muajve të fundit dhe ndajmë të njëjtën vendosmëri për të parë suksesin e këtij projekti".
“Këtu për të qëndruar”, ka shkruar Alonso në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të tij të veshur me kostumin e Aston Martin, pasuar nga një video ku njofton zgjatjen e kontratës me titull “Historia vazhdon”.